Reinke: Mali i Zi ka nevojë për një qeveri euroatlantike, disa forca politike shohin një të ardhme me Rusinë

Evropë

Reinke: Mali i Zi ka nevojë për një qeveri euroatlantike, disa forca politike shohin një të ardhme me Rusinë

Më: 6 tetor 2023 Në ora: 17:08
Ambasadorja amerikane në Mal të Zi, Judy Rising Reinke

Ambasadorja amerikane në Mal të Zi, Judy Rising Reinke, tha të premten se Mali i Zi ka nevojë për një qeveri euroatlantike.

“Vendimet kryesore janë në duart e disa liderëve politikë. Ne e dimë se shumica e qytetarëve votuan qartë për unitetin europian. Prandaj, Mali i Zi ka nevojë për një qeveri që është e gatshme të punojë për një të ardhme euroatlantike, subjektet e së cilës janë të përkushtuar ndaj vlerave euroatlantike dhe që janë të gatshëm të ndërtojnë institucione të forta dhe të kuptojnë të gjitha aspektet, veçanërisht ato teknike, të procesit të ardhshëm”, tha ambasadorja Rising Reinke.

Këto komente zonja Reinke i bëri në Forumin "2BS" të organizuar nga Aleanca Atlantike, e cila po zhvillohet në qytetin bregdetar në Budva të Malit të Zi.

Ambasadorja Reinke, vuri në dukje, se një proces i lirë zgjedhor dhe një sistem politik demokratik janë më të fortë se çdo armë lufte duke nënvizuar se disa forca politike në Mal të Zi e shohin të ardhmen e vendit në partneritet me Rusinë.

“Ato forca politike sugjerojnë se të gjithë ata që luftojnë kundër Rusisë e kanë gabim, ndërsa në të njëjtën kohë përhapin propagandën e Kremlinit. Çfarë të thuhet për këto parti që paraqiten si pjesë e diskursit të pasur europian, ndërkohë që të ardhmen e shohin me Rusinë dhe liderin e saj”, tha ambasadorja e SHBA-së në Podgoricë .

Bashkimi Europian u ka bërë thirrje partive politike në Mal të Zi që të formojnë sa më shpejt parlamentin dhe qeverinë e re, me synimin për të përshpejtuar reformat e duhura.

Lëvizja “Evropa Tani” e formuar një vit më parë, fitoi 24 vende në parlament në zgjedhjet e mbajtura më 11 qershor. Pas saj rënditet koalicioni i udhëhequr nga Partia Demokratike e Socialistëve, e ish-Presidentit Milo Gjukanoviq.

Udhëheqësi pro-perëndimor, Milojko Spajiç, i cili ka zhvilluar bisedime me partitë që kanë fituar vende në parlament, paralajmëroi se “Europa Tani” ka marrë mbështetjen e nevojshme për formimin e qeverisë së re në vend dhe se “koalicioni do të formojë një qeveri të përbashkët që do të përmbushë të gjitha programet e premtuara gjatë fushatës zgjedhore”.

Sipas tij partitë pro-serbe dhe pro-ruse nuk do të jenë pjesë e qeverisë.

Ky qendrim është kundërshtuar nga politika e Beogradit dhe nga disa parti pro-serbe në Malin e Zi, të cilët kanë kërkuar që edhe koalicioni i partisë pro-serbe dhe pro-ruse, ish-Fronti Demokratik, të përfshihet në qeverinë e re.

Kjo ndërhyrje ka ndikuar që edhe pas gati 4 muajsh, Mali i Zi të mbetet pa qeverinë e dalë nga zgjedhjet parlamentare të 11 qershorit.

Mali i Zi konsiderohej si një vend që udhëhiqte procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian, në rajon dhe ka hapur të gjithë kapitujt në negociatat për anëtarësim.

Megjithatë si pasojë e krizës politike dhe institucionale, nuk ka pasur asnjë konferencë ndërqeveritare që nga dhjetori 2021, për shkak të progresit të pamjaftueshëm në reformat e nevojshme për procesin e anëtarësimit./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat