Kroaci: Pengesa e kompanive autonome për energjinë e gjelbër

Evropë

Kroaci: Pengesa e kompanive autonome për energjinë e gjelbër

Më: 7 shkurt 2024 Në ora: 08:28
Park me panelel fotovoltaik dhe shtyllat me helikat për energjinë e erës në Zadar të Kroacisë

Megjithëse ligjet në Kroaci e lejojnë krijimin e komuniteteve qytetare të energjisë, pengesat administrative dhe kundërshtimet që vijnë nga sektori i energjisë janë duke e bllokuar përparimin e procesit.

"Është një situatë shah- mat," thotë Goran Cacic kur pyetet për çështjet tekniko ligjore që e pengojnë shoqatën e tij me emër Kooperativa e Energjisë së Gjelbër, që të kthehet në komunitet qytetarësh për energjinë, me të drejta të plota. Cacic do që përveç prodhimit të energjisë, siç bën aktualisht, kolektivi i tij me energji të rinovueshme të jetë në gjendje edhe t'i japë të tjerëve rrymë elektrike.

"Rregullatorët e sistemit energjetik të Kroacisë thonë se ne duhet të regjistrohemi në mënyrë që të bëhet organizimi i komuniteteve energjetike, por gjykata nuk e njeh aktivitetin tonë si aktivitet zyrtar dhe nuk na regjistron,” shpjegon ai.

Por kjo nuk është pengesa e vetme që hasin komunitetetet qytetare të energjisë, dy vjet pas aprovimit të ligjit nga parlamenti kroat.

Shtëpi në ndërtim me sistem të energjisë dielloreFotografi: KLIK energy cooperative

Aktivisti ekologjist, Vjeran Pirsic nga ishulli Krk, që synon të kthehet në ishullin e parë kroat autonom në çështjet e energjisë, përdor fjalën "sabotazh” për të përshkruar gjendjen. Ai thotë se zhvillimi i burimeve të energjisë së rinovueshme në këtë vend me katër milionë banorë, ka kohë që bllokohet nga lobet e fuqishme të qymyrit, gazit dhe energjisë nukleare.

Përmirësime dhe prapaktheu

Për prodhuesit individualë të energjisë diellore në Kroaci, situata është përmirësuar shumë që prej vitit 2018. Numri i dokumenteve që kërkohen ka zbritur për shembull nga 66 në vetëm tre, thotë Pirsic.

Për më tepër BE ka ofruar stimuj financiarë dhe që prej luftës së Rusisë kundër Ukrainës në vitin 2022, qeveria kroate i ka hequr taksat për gjithë instalimet diellore.

Organizata demokratike energjie

Në fakt komunitetet energjetike vazhdojnë të mbeten problem i pazgjidhur në Kroaci. Ligji pët modelet e komuniteteve energjetike qytetare në Kroaci, është ligj kombëtar, por ai përmban kufizime që nuk janë pjesë e direktivave të dhëna nga BE.

Për shembull autoritetet kroate vendosin kufi për energjinë e prodhuar nga parku energjetik i komunitetit deri në 500 kilovat, gjë që kufizon numrin e panelave diellorë deri në 1000.

Përveç kësaj, komuniteti duhet të jetë jo fitimprurës dhe duhet të punësojë një ekspert, një kërkesë e vështirë për t‘u plotësuar në një projekt jo fitimprurës qytetarësh. Në fakt komunitetet qytetare të energjisë duhet të plotësojnë po aq shumë kërkesa që plotësojnë projektet e mëdha të energjisë së erës me vlerë qindra milionë euro, thotë Cacic.

A është Kroacia aq ekologjike sa pretendon të jetë?

Direktivat e BE-së të vitit 2019 për komunitetet energjetikeflasin për "dekarbonizimin, digjitalizimin, decentralizimin dhe demokratizimin, të cilat përbëjnë kërcënim të madh për pushtetin," thotë Pirsic, duke shtuar se këtu futen edhe prodhuesit e energjisë nga era. "Ata nuk duan ta humbasin kontrollin që kanë mbi sektorin energjetik."

Sipas dokumentacionit Kroacia është një nga vendet më ekologjike të BE-së. Në vitin 2023 energjia e rinovueshme arriti nivelin 60 përqind të energjisë së prodhuar nga burime të ndryshme në vend. Por kjo shifër rekord është arritur falë hidrocentraleve të ngritur në lumenjtë e Kroacisë në periudhën socialiste, dhe rreshjeve të mëdha të vitit 2023.

Në fakt, Kroacia, një vend me diell dhe 1750 kilometra bregdet, vazhdon të marrë një të katërtën e rrymës së nevojshme elektrike nga Serbia dhe Bosnjë- Hercegovina, të cilat e prodhojnë energjinë edhe duke djegur qymyr.

Kur nuk arrihen synimet

Kroacia me siguri nuk do ta arrijë synimin e reduktimit 35 përqind të emisioneve të dioksidit të karbonit deri në vitin 2030, krahasuar me nivelin e vitit 1990. Një vlerësim i fundit i Komisionit Europian për projektet e mbrojtjes së klimës dhe ato energjetike, thotë se Kroacia nuk i ka arritur synimet në krijimin e burimeve eficiente dhe të rinovueshme të energjisë.

Pavarësisht potencialit të madh në energjinë diellore, Kroacia është një nga shtatë vendet e BE-së ku kapacitetet e ngritura për përdorimin e energjisë diellore janë nën një gigavat, thotë lobi i energjisë diellore, SolarPower Europe.

Zhvillimi i burimeve të rinovueshme të energjisë në Kroaci është përqëndruar kryesisht tek energjia e erës, e cila mbulon 13 përqind të nevojave të vendit për rrymë elektrike. Por edhe shtimi i energjisë së erës në tetë vitet e fundit, është bllokuar nga ligjet e papërshtatshme dhe administrata, e cila punon me personel të pakët.

Komuniteti i parë energjetik i qytetarëve

Sidoqoftë disa përparime janë arritur në frontin e komunitetit energjetik. Shoqata e zjarrfikësve vullnetarë në Spickovina, një fshat në veriperëndim të Kroacisë, ka ndër mend të ndërtojë një park energjie diellore që do të funksionojë si komunitet i vërtetë energjie të prodhuar nga burime ekologjike, sipas standardeve të BE-së.

"Sistemi energjetik do të vazhdojë të transformohet, duke u larguar nga lojarët e mëdhenj tradicionalë, të cilët menaxhojnë sipërfaqe të mëdha dhe projekte të mëdha energjetike,” thotë Slavica Robic nga agjencia rajonale energjisë, REGEA, një agjenci në veriperëndim të Kroacisë, e cila është duke ndihmuar me asistencë zjarrfikësit e Spickovinës. Agjencia merr rregullisht telefonata nga palët e interesuara që kanë dëgjuar për Spickovinën dhe duan të krijojnë sistemin e vet të prodhimit të energjisë.

Por kjo është pikërisht ajo çka nuk duan lojtarët e mëdhenj të sektorit të energjisë, thotë Pirsic, i cili ka krijuar në vitin 2012 në Krk një shoqatë joqeveritare që prodhon dhe shpërndan energji.

Ndërmarrja shtetërore e energjisë, HEP, e cila ka pasur dikur monopolin në prodhimin e energjisë në Kroaci, nuk ka arritur ta kuptojë se si mund të ndihmojnë prodhuesit e vegjël në balancimin e rrjetit dhe uljen e nevojave emergjente në orët e pikut, thotë Pirsic.

Megjithëse ka kohë që HEP nuk është më lojtarja e vetme në fushë, ajo vazhdon të mbetet prodhuesi, furnizuesi dhe operator rrjeti më i madhi në vend.

Më shumë parqe me energji diellore, jo komunitete energjie

"Komunitetet energjetike nuk janë në interes të furnizuesve të energjisë,” thotë Sanela Mikulcis Santic, manaxhere e shoqatës energjetike, KLIK nga qyteti i vogël i Krizevcit në veri të Kroacisë. KLIK ka ndihmuar rreth vitet e fundit rreth 100 qytetarë të instalojnë në çati panela energjie diellore dhe ka plane të dyfishojë kapacitetet e instalimit në vitin 2024.

Shoqata e Pirsicit ka ndihmuar qytetarë, biznesmenë dhe komuna të ndërtojnë më shumë se 200 parqe të vogla të energjisë diellore.

Shoqata si kjo janë duke hapur rrugën për një të ardhme më demokratike në fushën energjetike, por tani për tani nuk kanë bërë plane për tu regjistruar si komuna qytetare energjie, sepse legjislacioni e pengon krijimin e tyre. Ajo çka po ndryshon është se gjithnjë e më shumë kroatë duan të prodhojnë energjinë e tyre dhe tani ata kanë BE-në që i përkrah./DW

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat