Rusia thotë se Ukraina e sulmoi me 35 dronë në ditën e fundit të zgjedhjeve

Evropë

Rusia thotë se Ukraina e sulmoi me 35 dronë në ditën e fundit të zgjedhjeve

Më: 17 mars 2024 Në ora: 15:30
Një dron duke fluturuar mbi rajonin rus, Belgorod, 14 mars 2024.

Ukraina i sulmoi rajonet ruse me 35 dronë, duke shkaktuar zjarr në një rafineri nafte, e vuri në shënjestër Moskën dhe shkaktoi pengesa në furnizim me rrymë në disa zona kufitare, tha Rusia të dielën.

Moska e ka akuzuar Kievin se tentoi ta pengojë procesin e votimit në ditën e fundit të zgjedhjeve presidenciale treditore në Rusi.

Presidenti rus Vladimir Putin, i cili e ka të sigurt fitoren në këto zgjedhje të kontrolluara nga Kremlini, është zotuar se do ta ndëshkojë Ukrainën për këto sulme.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, i falënderoi ushtrinë dhe inteligjencën e vendit për “armët e reja me rreze të gjata veprimi”, në një video të publikuar të shtunën, pa përmendur raportimet për sulme të shtuara ukrainase në Rusi.

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë shkroi në Telegram të dielën se 17 dronë u shkatërruan në rajonin jugor të Rusisë, Krasnodar, katër mbi rajonin e Moskës dhe pjesa e mbetur në gjashtë rajone të tjera.

“Dronët u shkatërruan, por një zjarr shpërtheu si pasojë e rënies së njërit prej mjeteve”, tha zyra e administratës së Krasnodarit në Telegram.

Zjarri në rafinerinë Slavyanks në Krasnodar u shua dhe nuk u raportua për viktima si pasojë e zjarrit, tha administrata.

Raportimet e kësaj administrate nuk kanë mundur të verifikohen në mënyrë të pavarur.

Kryetari i Moskës, Sergei Sobyanin, tha se nuk u raportua për viktima apo dëme nga dronët që u rrëzuan mbi tri qarqe në afërsi të Moskës.

Një sulm ukrainas me katër dronë në rajonin kufitar rus, Belgorod, i dëmtoi linjat e rrymës dhe gazit në një fshat, tha guvernatori i këtij rajoni, Vyacheslav Gladkov.

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha se forcat e saj i rrëzuan edhe 12 raketa të shkrepura nga Ukraina në drejtim të rajonit të Belgorodit të dielën./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat