Rezultatet e zgjedhjeve vendore ndryshojnë skenën politike të Turqisë

Evropë

Rezultatet e zgjedhjeve vendore ndryshojnë skenën politike të Turqisë

Më: 4 prill 2024 Në ora: 17:58
Përkrahësit e partisë opozitare CHP festojnë fitoren në Stamboll, më 31 mars, 2024/AFP

Partia e Presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan AKP shënoi humbjen më të thellë në zgjedhjet vendore të mbajtura më 31 mars në tërë Turqinë. Kjo humbje elektorale, sipas analistëve me të cilët bisedoi korrespondenti i Zërit të Amerikës në Stamboll Dorian Jones, sinjalizon një ndryshim të rëndësishëm të drejtimit politik të Turqisë.

Fitorja e partisë kryesore opozitare të Turqisë CHP në zgjedhjet vendore të 31 marsit paraqet një ndryshim të madh për të, sidomos pasi ky sukses vjen pas rizgjedhjes vitin e kaluar të Presidentit Erdogan edhe për një mandat presidencial, thonë analistët.

“Pas humbjes së zgjedhjeve të majit, të gjithë menduan se opozita ishte në gjendje të dëshpëruar. Por, siç duket nuk është ashtu dhe kjo është një kthesë e vërtetë në skenën politike turke,” thotë drejtori i Qendrës anketuese "Istanbul Economics Research".

Në këto zgjedhje, Presidenti Erdogan u angazhua personalisht, duke udhëhequr fushatën për të rimarrë pushtetin në Stamboll nga kryebashkiaku aktual Ekrem Imamoglu.

Por zoti Imamoglu thelloi avantazhin në Stamboll, duke fituar edhe nëpër lagjet e qytetit të cilësuara si bastione elektorale të partisë së zotit Erdogan, përfshirë lagjet si Bejoglu, ku presidenti turk ishte rritur dhe kishte një bazë personale pushteti.

Inflacioni prej afro 70 për qind dhe normat e interest që kanë kapur shifrën prej 50 për qind, sipas analistëve, janë arsyet kryesore të humbjes së partisë së zotit Erdogan.

Analistët thonë se kryebashkiaku e portretizoi udhëheqjen e tij si gjithpërfshirëse dhe sipas tyre ky është edhe çelësi i suksesit të tij, duke ia shtuar edhe më shumë gjasat për t’u bërë kandidat i mundshëm presidencial.

Kryebashkiaku i Ankarasë, Mansur Yavas nga partia opozitare CHP, po ashtu korri një fitore bindëse. Analistët thonë se këta dy kryebashkiakë arritën të fitojnë përkrahjen e votuesve fetarë, duke zgjeruar praninë e partisë së tyre përtej bazës plotësisht sekulare të saj.

Ekspertët thonë se ky fakt u hap atyre derën drejt suksesit në pjesë të tjera të Turqisë që ishin baza elektorale të Erdoganit, si në Anatolia.

“Këto janë vende që unë i kam konsideruar si zona konservatore fetare, apo të paktën si konservatore dhe CHP-ja kurrë nuk ka qenë e suksesshme në këto vende në të kaluarën. Kjo vlen po ashtu edhe për Anatolinë qendrore. Kjo zonë është zakonisht shumë më nacionaliste, shumë më e ndjeshme në aspektin fetar, por kjo është hera e parë që ata patën sukses,” thotë ekspertja Istar Gozaydin nga Universiteti Istinye.

Zgjedhjet vendore të mbajtura me 31 mars ndryshuan hartën elektorale të Turqisë. Partia kryesore opozitare CHP tani kontrollon shumë qytete krahinore, për herë të parë pas një gjenerate.

Analistët thonë se fakti që kryebashkiakët kanë fuqi të konsiderueshme në çështjet e përditshme jetësore, i jep opozitës një mundësi të rëndësishme.

“CHP-së i është dhënë mundësia të tregojë se si është në gjendje të qeverisë në pesë vitet e ardhshme. Është një mundësi e madhe për partinë kryesore opozitare të dëshmojë aftësitë e saj qeverisëse në pjesë të vendit ku kurrë nuk i kanë fituar zgjedhjet më parë,” thotë analisti Selcuki.

Analistët thonë se rezultati i CHP-së në garat lokale mund të përcaktojë rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2028. Në një kohë kur partia e Presidentit Erdogan nuk po arrin të zbusë inflacionin e lartë, ata thonë se një mundësi e tillë duket reale./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat