Pranoi se voziti në gjendje të dehur, 500 euro gjobë për të akuzuarin - Bota Sot
Pranoi se voziti në gjendje të dehur, 500 euro gjobë për të akuzuarin

Ferizaj

Pranoi se voziti në gjendje të dehur, 500 euro gjobë për të akuzuarin

Më: 28 tetor 2019 Në ora: 14:04
Gjykata Themelore në Ferizaj

Gjykata Themelore në Ferizaj, të hënën, ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarit Nazif Maholli, pasi ai në shqyrtimin fillestar e ka pranuar fajësinë për ngasje në gjendje të paaftë apo të dehur.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga gjykatësi Shabi Idrizi, të akuzuarit Maholli i është shqiptuar dënim burgimi prej gjashtë muajsh, mirëpo që me pëlqimin e të akuzuarit është shndërruar në dënim me gjobë prej 500 euro.

Sipas këtij aktgjykimi, Maholli dënimin me gjobë duhet ta paguajë në tri këste mujore, por në rast të mos pagesës të kësaj gjobe, ky dënim do të zëvendësohet në dënim me burgim.

Ndërsa, i dëmtuari për realizimin e kërkesës pasurore juridike është udhëzuar në kontest civil.

Në emër të shpenzimeve procedurale dhe të fondit për kompensimin e viktimave, i akuzuari është obliguar të paguajë shumën prej 80 euro.

Para shpalljes së aktgjykimit dhe pas leximit të aktakuzës nga prokurori i rastit, Paulin Pashku, i akuzuari Maholli, ka deklaruar se e ndien veten fajtor për veprën penale që i vihej në barrë.

“E pranoj fajësinë për të gjitha pikat e aktakuzës”, tha i akuzuari Maholli.Një pranim i tillë i fajësisë, nuk është kundërshtuar as nga prokurori Pashku, e as nga gjykatësi Idrizi, të cilët vlerësuan se ishte bërë në mënyrë vullnetare nga i akuzuari, pa kurrfarë presioni dhe se gjente mbështetje në faktet dhe provat që gjendeshin në shkresat e lëndës.

Sipas aktakuzës së ngritur më 13 maj 2019, Nazif Maholli, akuzohet se më 14 mars 2019, në rrugën “Rexhep Bislimi” në Ferizaj, ka shkelur Ligjin për Rregullat e Trafikut Rrugor, nenin 206, 233 dhe 242 të LRRTRR.Gjithnjë sipas aktakuzës, i akuzuari nën ndikimin e alkoolit me 1.66 promila, duke drejtuar automjetin e tipit “Peugeot Boxer”, përderisa ishte në lëvizje afër dyqanit “Vjosa” i hapet dera e pasme e bagazhit, me ç’ rast e godet të dëmtuarën-këmbësoren Kadishe Limoni, e cila në atë moment ishte duke ecur në trotuar në drejtim të kundërt të automjetit, ku si pasoj e kësaj të njëjtës i shkaktohen lëndime të lehta trupore.

Me këto veprime, Prokuroria e ngarkon të akuzuarin Nazif Maholli se ka kryer veprën penale “ngasja në gjendje të paaftë apo të dehur”, nga neni 379, paragrafi 2, lidhur me paragrafin1 të KPRK-së.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat