Kush është aktori i ri i preferuar i Quentin Tarantinos?

Filma

Kush është aktori i ri i preferuar i Quentin Tarantinos?

Më: 16 janar 2020 Në ora: 18:23
Quentin Tarantino

Quentin Tarantino ka folur për aktorin e tij të preferuar në Hollywood, në episodit e fundit të podcastit “The Rewatchables”.

Duke diskutuar për filmin e vitit 2010, “Unstoppable”, regjisori i famshëm botëror e lavdëroi në detaje, njërën prej performancave në këtë projekt.

“Mendoj se një prej gjërave që më pëlqen më së shumti në këtë film, është aktori Chris Pine, të cilin e pëlqej shumë. Për mua, nga të gjithë aktorët e moshës së tij, pa asnjë dyshim Pine është i preferuari im,” ka deklaruar Tarantino.

Në film, Chris Pine luan krahas yllit kinematografik, Denzel Washington. Aktori kryesisht njihet për rolin e tij në filmat “Star Trek”, të cilët u shfaqën nga viti 2009 deri më 2016-n, por Tarantino e konsideron filmin “Unstoppable” si më të rëndësishmin për të.

Pine asnjëherë nuk ka luajtur në ndonjë film të regjisorit Tarantino, por duket se kjo gjë mund të ndryshojë në të ardhmen.

“Unë jam adhuruesi më i madh i tij, kështu që nëse e kam një rol të duhur për të, do të dëshiroja ta angazhoja në ndonjë projekt timin”.

Filmi i fundit i regjisorit, “Once Upon A Time… in Hollywood”, e fitoi çmimin “Globi i Artë” në kategoritë “Filmi më i mirë komedi” dhe “Skenari më i mirë”. Ndërsa, aktualisht ai është i nominuar në 10 kategori për çmim “Oscar”.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat