Ferrari i ri do të jetë një “raketë”

Formula 1

Ferrari i ri do të jetë një “raketë”

Më: 20 dhjetor 2022 Në ora: 11:41
Ferrari i ri do të jetë një “raketë”

Viti 2022 riktheu Ferrarin protagonist në botërorin e Formula 1 edhe pse jo mjaftueshëm sa të duelojë për titullin kampion me Red Bull. Makina italiane e nisi këtë sezon si protagoniste në garat e para, por shpejt disa probleme me besueshmërinë, gafa strategjish e aksidente në pistë, bënë që “kokëkuqja” të humbasë shkëlqimin.

Kjo situatë solli largimin e Mattia Binotto nga detyra e drejtorit sportiv, vend në të cilin erdhi Frederic Vasseur. Gjithsesi, makina e vitit 2023 është projektuar e menaxhuar tërësisht nga Binotto, i cili më herët ka deklaruar e premtuar se njëvendëshja e re do të jetë një raketë.

Sipas mediave italiane, Ferrari i ri (2023) do të jetë më i fuqishëm në pistë, pasi do të ketë rreth 30 kuaj fuqi më shumë krahasuar me njëvendëshen e këtij viti. Makina e këtij viti kishte disa probleme me motorin dhe turbokompresorin MGU-H, që detyruan skuadrën të ulë fuqinë, probleme që tashmë janë zgjidhur.

Në fabrikë kanë zgjidhur vështirësitë e hasura gjatë vitit të kaluar, duke përmirësuar edhe sistemin e injektimit TJI, për të marrë maksimumin nga motori i ri. Pritet që në pjesën e drejtë, “kokëkuqja” të rivalizojë me Red Bull e Mercedes, aty ku kishte edhe pikën e saj më të dobët".

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat