Zyrtari i FIA-s: Verstappen më i pamëshirshëm se Hamilton

Formula 1

Zyrtari i FIA-s: Verstappen më i pamëshirshëm se Hamilton

Më: 12 prill 2023 Në ora: 20:49
Verstappen

Max Verstappen e ka nisur sezonin e ri të Formula 1, ashtu si mbylli atë të kaluarin.

Holandezi ka fituar dy gara nga tre të zhvilluara teksa në njërën prej tyre u rendit në vendin e dytë duke u konfirmuar pretendenti kryesor për triumfin final. 25-vjeçari njihet për mënyrën agresive të të pilotuarit dhe së fundmi, zyrtari i Federatës Ndërkombëtare të Automobilizimit (FIA), Tom Clarkson u shpreh se dy herë Kampioni i Botës është edhe më i pamëshirshëm se Lewis Hamilton.

“Verstappen në këtë sezon është shumë i shpejtë dhe kjo është e dukshme. Unë nuk kam njohur kurrë një pilot aq të uritur për sukses sa Verstappen.

Uria për sukses është shumë e rëndësishme në Formula 1, lidhet me mentalitetin.

Ky është çelësi për mua dhe në këtë pikë Verstappen është i ngjashëm me Sennan apo Schumacher. Janë njerëz të cilët kanë fituar shumë në këtë sport.

Në pistë, Verstappen është i pamëshirshëm. E di që shumë njerëz e kanë të vështirë ta kuptojnë këtë sepse në jetën e përditshme diçka e tillë quhet egoizëm dhe është diçka jo fort e bukur, por kur vjen puna te një sport, atëherë është thelbësore që të marrësh maksimumin dhe të mos i lejosh të tjerët të të afrohen.

Është një mentalitet i domosdoshëm nëse kërkon të kesh sukses. Objektivi nuk është të dukesh i bukur në pistë, por të fitosh. Dhe pikërisht këtë po bën Verstappen. Këtë e ka trashëguar nga prindërit e tij, mamaja e tij ishte pilote në Go-Cart ndërsa babai në Formula 1. Jam i sigurt se gjatë kohës kur Max rritej, prindërit janë siguruar ta mësojnë se të praktikosh këtë sport vetëm për qejf nuk është mjaftueshëm,

Nëse je në Formula 1 do të duhet të fitosh, nuk ka rrugë tjetër. Dhe Verstappen jo vetëm që fiton, por kërkon edhe t’i shkatërrojë kundërshtarët.

Mjafton të përmendim garën në Arabinë Saudite.

U nis nga vendi i 15-të dhe e përfundoi në vendin e dytë, por nuk ishte i kënaqur. U shpreh qartë se objektivi i tij nuk është asnjëherë vendi i dytë, ndërsa një pilot tjetër në vendin e tij do të kishte bërë fest.

Sergio Perez u gëzua për një vend të pestë, unë nuk e imagjinoj Verstappen të qeshë nëse e mbyll një garë në vendin e pestë.

Mentaliteti i tij është unik, është një fitues serial. Edhe Hamilton e Leclerc kanë dëshirën e Verstappen, por holandezi ka diçka më shumë, diçka që unë nuk e shoh tek pilotët e tjerë. Nuk mërzitet nga fitoret dhe kërkon gjithnjë më shumë dhe për mua nuk ka asnjë dobësi.

Për mua është e frikshme të mendoj se sa i mirë mund të bëhet Verstappen me kalimin e kohës”, u shpreh Clarkson.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat