Perez e pranon: Isha në krizë, punësova një psikolog!

Formula 1

Perez e pranon: Isha në krizë, punësova një psikolog!

Më: 28 shtator 2023 Në ora: 19:31
Perez

Nëse një Red Bull po dominon në Formula Një këtë 2023 tjetra duket me oshilacione. Është ajo e Sergio Perez.

Meksikani në fillim të sezonit dukej i vetmi që mund të sfidonte superfuqinë e shokut të skuadrës Max Verstappen, por tani po kërkon të ringrihet pas një momenti delikat që kulmoi me zgjedhjen për t’ju drejtuar një psikologu siç zbulon vetë në një intervistë.

Një kërkesë për ndihmë kjo që shkon përtej rolit të pilotit të Formula Një. Kriza e Perez nisi pas Çmimeve të Mëdha të para të sezonit, meksikani kishte fituar në Arabinë Saudite dhe Azerbajxhan duke ëndërruar të ndiqte liderin Verstappen, por pastaj erdhi errësira;

“Në fillim të vitit kisha një ndjesi të mirë me makinën, por makinat ndryshojnë. Pas Miamit situata u përkeqësua për mua, po më dukej se po ngisja një tjetër makinë, larg kërkesave të mia.

Disa herë vuajta për të kaluar edhe fazën e parë të kualifikueseve. Në verë po garoja pa vetëbesim, ishte e komplikuar”.

Për Perez ndihma e një specialisti ishte e rëndësishme edhe për të menaxhuar më mirë raportet që nuk kishin të bënin me punën.

“Formula Një është sporti im, jeta ime, pasioni im.

Por, në situata kaq të vështira në punë është e vështirë të jesh i lumtur në shtëpi me gruan dhe fëmijët. Për këtë arsye angazhova një trajner për t’u kujdesuar me aspektin psikologjik, familja ime meriton një baba të lumtur në shtëpi.

Po punoj që të bëhem versioni më i mirë i vetes time, si në jetën private ashtu edhe si pilot. Tani jam 33 vjeç, por po mësoj çdo ditë, në pistë por edhe jashtë saj”.

Në fund nuk mungon edhe një koment për metodat e Red Bull që nga jashtë perceptohet se është një skuadër shumë e ashpër me pilotët e saj;

“I jam mirënjohës skuadrës që më dha mundësinë për të garuar në një skuadër të këtij niveli.

Do të ishte shumë bukur nëse do të mund ta mbyllja karrierën time këtu.

Të garosh për ta nuk është e lehtë pasi kanë një mënyrë shumë të veçantë pune. Makina e tyre është e ndërtuar me një stil ndryshe, të duhet kohë për t’u përshtatur, dhe natyrisht, ke Verstappen si shok skuadre”.

Gjithsesi meksikani shikon drejt të ardhmes me optimizëm;

“Më ka ndihmuar kujtimi i dy fitoreve në fillim të vitit.

Tani ndihem sërish në 100%, dhe mendoj se mund të luftoj për titullin në 2024”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat