Drejt Çmimit të Madh të Amerikës

Formula 1

Drejt Çmimit të Madh të Amerikës

Më: 17 tetor 2023 Në ora: 16:57
Pamje nga një garë

Çështja e titullit “kampion” është vendosur, si përsa i përket garës së pilotëve, ashtu edhe asaj të konstruktorëve, por kjo nuk do të thotë se nuk  më arsye për të luftuar në këtë Botëror të Formulës 1, pasi çdo pilot dhe skuadër ka ende diçka për të luftuar gjatë 5 garave të ndryshme.

Dhe në prag të garës së Çmimit të Madh të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Teksas, ajo që bie në sy është fakti se skuadra më në formë nuk është, përkundër idesë së përgjithshme, ajo e “Red Bull”-it.

Kjo sepse, gjatë këtyre 3 fundjavave të fundit në “MekLaren”-i ka grumbulluar plot 104 pikë, më tepër se çdo skuadër tjetër. Më tepër sesa “Red Bull”-i, që ka grumbulluar 74, më tepër sesa 70 pikët e “Ferrari”-t, sesa 63 pikët e “Mercedes”-it dhe sesa 13 pikët e “Aston Martin”-it.

Me këtë ritëm, skuadra britanike kërcënon edhe vendin e 3-të të “Ferrari”-t në renditjen e përgjithshme të konstruktorëve, por pritet që rivalja italiane, por edhe “Mercedes”-i e “Aston Martin”-it, të kundërpërgjigjen, duke nisur që nga gara amerikane, që do të mbahet në pistën e Ostinit.

Megjithatë, vetë “Mercedes”-it i duhet fillimisht të mbajë nën kontroll dy pilotët, që të mos përplasen me njëri-tjetrin, siç ndodhi në Çmimin e Madh të Katarit, teksa synon podiumin dhe rezultatet në pistën amerikane. Edhe pse është ende larg, edhe skuadra e “Haas”-it premton diçka ndryshe për këtë garë, teksa ka sjellë me vete në SHBA përmirësime të ndjeshme të specifikave të makinave, që shpreson t’i japin rezultat në garë.

Dhe, së fundi, skuadra e vetme që tashmë është nën “Haas”-in në renditjen e konstruktorëve, është “AlfaTauri”, e cila mirëpret këtë fundjavë rikthimin e Daniel Riçiardos në Ostin. Australiani ka munguar në 5 garat e fundit, për shkak të një frakture në dorë, duke u zëvendësuar nga Liam Loson.

Çmimi i Madh i Amerikës rikthen, për të dytën fundjavë radhazi, edhe garën e Sprintit, por edhe një numër të madh tifozësh, teksa priten mbi 440,000 persona.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat