Verstapen fiton në Meksikë

Formula 1

Verstapen fiton në Meksikë

Më: 29 tetor 2023 Në ora: 23:24
Verstapen me makinln e tij

Kampionati Botëror i Formulës 1 ka patur në Meksikë stacionin e 20-të të këtij sezoni, që po i drejtohet fundit dhe, përtej premtimit për të ofruar diçka ndryshe, përfundimi ka qenë i njëjtë.

Kishte premtuar diçka ndryshe, sepse nga vija e parë të dielën në mbrëmje kanë nisur dy pilotët e “Ferrari”-t, Sharl Lëklerk dhe Karlos Sainz.

Të dy ata janë sfiduar që në metrat e para nga dy pilotët e “Red Bull”-it, me Maks Verstapenin që ka hyrë në mes dhe ka marrë kryesimin, kurse Serxhio Perez, është përplasur me Lëklerkun duke e mbyllur garën që në xhiron e parë.

Një zhgënjim i jashtëzakonshëm ky për pilotin, por edhe tifozerinë vendase, që kishin shumë shpresa për të në këtë garë. Ndërkaq, pas 34 xhirosh, Kevin Magnusen do të përplaset dhunshëm me muret rrethuese të pistës, për fat të mirë, pa pasoja për të, por jo për makinën dhe gara ndërpritet me flamur të kuq.

Me kalimin e xhirove, Ljuis Hemilton merr vendin e dytë, duke e parakaluar Lëklerkun, ndërsa shoku i tij i skuadrës, Sainz, i mbijeton një sulmi të Xhorxh Rasëllit, i cili nga ana e tij nis të ndjehet i kërcënuar nga piloti i “MekLaren”-it, Lando Norris.

Ky i fundit do ta parakalojë 5 xhiro para fundit, por koha nuk i premton për të arritur Sainzin dhe detyrohet të kënaqet me vendin e 5-të.

Ndërkaq, Maks Verstapen ka triumfuar edhe në Çmimin e Madh të Meksikës në Formula 1, duke korrur fitoren e 16-të të tij këtë sezon, një më tepër sesa sezonin e shkuar dhe duke vendosur kështu një rekord të ri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat