I pashqetësuar nga rivalët

Formula 1

I pashqetësuar nga rivalët

Më: 5 nëntor 2023 Në ora: 20:15
Pamje nga gara

Piloti holandez Max Verstappen fitoi sot garën e Cmimit të Madh të Brazilit në Formula 1, suksesi i 17-të sezonal dhe i 52-ti në karrierë për të. Një garë e dominuar dhe fituar me meritë nga kampioni i botës në fuqi, që si shpesh këtë sezon zhvilloi një garë më vete, i pashqetësuar nga rivalët.

Në vendin e dytë u klasifikua makina McLaren e Lando Norris, që bëri një paraqitje të mirë, por pa mundur të rivalizojë dot për fitoren. Në podium u ngjit edhe Fernando Alonso me Aston Martin, që deri në fund rivalizoi me Sergio Perez për vendin e tretë. Këta dy pilotë dhuruan emocione në xhirot e fundit të garës.

Një garë që nisi me surpriza, me tërheqjen e Charles Leclerc (Ferrari) që në xhiron e formatimit (probleme hidraulike). Ndërsa në kthesën e parë, Magnussen dhe Albon u përplasën dhe detyruan organizatorët e garës të valëvisin flamurin e kuq dhe të ndalin garën, që rinisi pas 25 minutash.

Rinisja e saj nuk pati shumë emocione, me Verstappen që ishte më i shpejti në pistë, ndërkohë që mirë u paraqit në këtë garë makina Aston Martin. Përvec Alonso, mirë doli edhe piloti tjetër i saj, Lance Stroll, që u klasifikua në vendin e pestë, duke lënë pas spanjollin Carlos Sainz me Ferrari (i gjashti).

Një garë për t’u harruar kjo për Mercedes, teksa Lewis Hamilton u klasifikua në vendin e 8-të, pas Gasly me Alpine (i shtati). Makina tjetër Mercedes, ajo e George Russell, u tërhoq nga gara 15 xhiro nga fundi. Në zonën e pikëve edhe Tsunoda (i nënti) e Ocon (i dhjeti). Gara a radhës pas dy javësh në Las vega.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat