A do të vazhdojë Statovci me Minatorin?

Futboll

A do të vazhdojë Statovci me Minatorin?

Nga: Kemajl Goca Më: 20 dhjetor 2018 Në ora: 17:17
Faruk Statovci

Ish futbollisti i mirënjohur, Faruk Statovci, ka pasur një vjeshtë shumë të mirë si kryetrajner i Minatorit nga Magura e Lipjanit.  Ai me sukses ka drejtuar Minatorin dhe ia dolën ta përfundojnë pa asnjë humbje pjesën vjeshtore në Ligën e Dytë të Kosovës, në grupin B, me 10 fitore e 4 barazime, duke zënë vendin e tretë me 34 pikë, dy me pak se lideri Dardana dhe një se Lepenci nga Kaçaniku, që renditet në pozitën e dytë.

Atmosferë e shkëlqyeshme në klub, ku punuan një për të gjithë dhe të gjithë për një, rezultuan me rezultate fantastike dhe ishin edhe në të tetën e finales së Kupës së Kosovës, por u mënjanuan nga Drita e Gjilanit kampion në fuqi. Përderisa Minatori shquhet me rezultate, për nga ana financiare qëndrojnë keq dhe kjo mund të ndikojë që jo vetëm Faruk Statovci të largohet por edhe disa nga futbollistët që bartën barrën kryesore. Klubi nga fshati Magurë shpreson në përmirësimin e gjendjes financiare dhe që në pranverë ëndrrën të bëjnë realitet, të ngritën në Ligën e Parë të Kosovës, e cila do të ishte sukses i madh për këtë mjedis që jeton me futbollin.

“I kemi pritur këto rezultate. Mendoj se ka qenë sezon i suksesshëm, sepse kemi pasur lojtarë të rinj, edhe pse barazuam me rivalët kryesorë, si me Ulpianën, Dardanën dhe Lepencin. Ndoshta me pak fat sportiv u dashtë me fituar se kemi dominuar, sidomos me Dardanën dhe Ulpianën. Barazimi më i dhimbshëm ka ndodhur me Galaksinë, që keni qenë favoritë absolut, por u krye me rezultat 1:1. Në bazë të kësaj, ky ka qenë barazimi më i dhimbshëm në kampionat, e cila nuk ka qenë dita e futbollistëve, siç ndodhë shpesh në futboll. Mendoj se për sukseset, për këto rezultate akterë kryesor janë futbollistët që kanë dhënë maksimumin në çdo ndeshje, ndërsa tash kemi disa probleme si shumë skuadra, që ka me qenë vështirë për ekipin e tonë.

Unë gjatë gjithë kohës jam në kontakt me drejtorin sportiv Arben Thaçi, ku jemi të vetëdijshëm, se nuk jemi në një situatë të mirë sa i përket financave, me shpresë se do të ndryshojë diçka, ndryshe është vështirë me vazhduar ose me qëndruar si trajner”, thotë Statovci për gazetën kombëtare “Bota sot”.  Statovci tha se atmosfera ka qenë e shkëlqyeshme, por brengos fakti se janë në vështirësi financiare. “Atmosfera ka qenë perfekte, skuadra e ka fushën shumë të mirë sikurse ato të Superligës, po ashtu kemi lëvdata edhe nga federata edhe nga referët edhe nga delegatët e ndeshjes sa i përket organizimit dhe fushës së lojës”, tha ai. 

Statovci ende është në dilemë, a do të mbetet apo do të shtegtojë dikah tjetër, pasi që situata e tashme e bën të mendoj për gjetiu. “Nëse arrihet një zgjedhje sa i përket financave, mendoj se me një ose dy përforcime, do të jemi kandidat kryesor për inkuadrimin në Ligën e Parë. Nëse nuk arrihet të përmirësohet gjërat financiare, është vështirë me qëndruar futbollistët dhe po ashtu edhe unë si trajner, edhe pse mua nuk më kanë munguar ofertat, që kanë shprehur interes disa klube të Ligës së parë.

Synimi im është që të zgjidhet ky problem dhe Minatori të arrijë objektivat që ka, nëse nuk arrihet stabiliteti financiar, me keqardhje e them se duhet patjetër një zgjidhje tjetër”, thotë ish kapiteni i Kombëtares së Kosovës, njëherësh sa ishte futbollist me Renovën nga Xhepçishti i Tetovës, kanë qenë kampion në Maqedoni dhe ka luajtur në garat kualifikuese te Champions League dhe Europe League.

Në fund, lavdëron ekipin për paraqitje të mira në Kupën e Kosovës. “E kemi kaluar për Kupë 2 Korrikun e Prishtinës, ndërsa në të tetën e finales u ballafaquam me kampionin në fuqi Dritën nga Gjilani dhe pësuam humbje me 5:3. Lojtarët treguan angazhim e lojë perfekte, por ishte vështirë, pasi luajtëm me kampionin”, përfundoi Statovci.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat