Arbër Zeneli, lojtari që e ngriti Kosovën

Futboll

Arbër Zeneli, lojtari që e ngriti Kosovën

Më: 1 janar 2019 Në ora: 12:09
Arbër Zeneli

Gjatë këtij viti të mrekullueshëm për Kombëtaren e Kosovës, ylli dhe golashënuesi më i mirë i skuadrës së drejtuar nga Bernard Challandes ishte Arbër Zeneli, i cili gjatë vitit 2018 arriti t’i shënojë 12 gola, prej të cilave gjashtë për Dardanët e po aq edhe për klubin e tij, Heerenveen.

Djelmoshat e Bernard Challandes arritën ta sigurojnë një fitore me rezultat 4-0 në shtëpi kundër Azerbajxhanit, duke u promovuar kështu nga Liga D në Ligën C të Ligës së Kombeve.

Për më tepër, kjo fitore ka bërë që Dardanët të kualifikohen për gjysmëfinalen e kësaj gare në të cilën do të ndeshen me Maqedoninë. Nëse Kosova arrin ta fitojë këtë ndeshje dhe finalen, e siguron kualifikimin në Evropian.

Ndër lojtarët më të rëndësishëm në këtë ndeshje ishte numri 10, Zeneli, i cili arriti t’i shënojë tri gola brenda 90 minutave më të rëndësishëm në historinë e Kombëtares së Kosovës deri më tani.

Më 6 tetor, Zeneli kishte bërë një paraqitje të ngjashme për klubin e tij, Heerenveen, gjatë ndeshjes kundër Graafschap. Kosovari i kishte ndihmuar skuadrës së tij në fitoren me rezultat 5-0 me një het-trik asistesh.

Por, Zeneli kontribuoi për skuadrën e tij më shumë sesa vetëm përmes golave dhe për këtë arsye u shpërblye me çmimin për lojtarin më të mirë të vitit nga Federata e Futbollit të Kosovës.

“Çfarë mbrëmje! I zgjedhur si ‘lojtari më i mirë i vitit 2018’. Dëshiroj ti falënderoj familjen dhe shokët. Por, po ashtu edhe lojtarët e stafit në Kosovë dhe Heerenven. Pa ju kjo nuk do të ishte e mundshme”, ka shkruar ai në Instagram.

Përveç het-trikut në ndeshjen kundër Azerbajxhanit, Zeneli e shënoi një gol edhe në ndeshjen kundër Ishujve Faroe, në kuadër të Ligës së Kombeve, si dhe dy në ndeshjen miqësore kundër Kombëtares së Shqipërisë.

“Ka qenë një vit fantastik për ne si një vend i ri. Ne kurrë nuk menduam se do ta kalonim vitin të pamposhtur me ndeshjet që i kemi luajtur. Liga e Kombeve ka qenë kryesorja, natyrisht. Ne dëshiruam ta fitojmë grupin dhe ndeshja e fundit ishte një rezultat i mrekullueshëm për ne si shtet”, ka thënë Zeneli për faqen zyrtare të FIFA-s.

Asnjë futbollist në Eredivisie nuk ka bërë më shumë asiste se 23-vjeçari kosovar, i cili luan më së shumti në krahun e majtë, hyn brenda në qendër dhe e shkatërron mbrojtjen e kundërshtarëve. Nuk është aspak çudi që Ronaldo dhe Kaka janë dy idhujt e tij.

Pjesën e dytë të sezonit të kaluar, Zeneli arriti t’i shënojë dy gola dhe t’i bëjë tetë asiste. Ndërsa, këtë sezon, ai ka qenë titullar në 18 nga 20 ndeshjet e Heerenveenit këtë sezon, gjatë të cilave i ka shënuar katër gola dhe i ka bërë 12 asiste.

Klubi holandez përfundoi në vendin e tetë të tabelës së Eredivisie sezonin e kaluar, ndërsa këtë sezon, me gjysmën e ndeshjeve të zhvilluara, pozicionohet në vendin e dhjetë. Për shkak të paraqitjeve të mira që ka bërë Zeneli gjatë këtij sezoni, ai ka marrë vëmendjen edhe të klubeve si gjiganti turk, Fenerbahce.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat