Askujt nuk i kërcet për Ferizajn, klubi po shkon drejt shkatërrimit!

Futboll

Askujt nuk i kërcet për Ferizajn, klubi po shkon drejt shkatërrimit!

Nga: Kemajl Goca Më: 2 janar 2019 Në ora: 16:05
KF Ferizaj

As fundviti 2018 e as fillim Vit i Ri nuk sollën lëvizje në klubin e futbollit Ferizaj! Gjendja është alarmante brenda klubit dhe askush nuk e di se çfarë po ndodhë! Askujt nuk i kërcet për klubin, po shkon drejt shkatërrimit! Nuk ka të interesuar që klubin ta nxjerrin nga balta, por sipas zhvillimeve të fundit, do të lirohen edhe shumë futbollistë për shkak se nuk ka mjete financiare.

Burimet brenda klubit ferizajas, bëjnë të ditur për gazetën kombëtare “Bota sot”, se kolektivi është në udhëkryq pa semaforë.  Siç merret vesh as pagat nuk janë kryer për futbollistët ashtu siç pritej në fund të vitit. Klubi është thelluar në krizë, trajnerët dhe futbollistët janë në pritje të ndonjë lajmi të mirë. “Puna është shumë keq. Nuk ka lëvizje, nuk i kërcet askujt për klub. Situata si po shkon, klubi do të përbehet krejt me juniorë për stinorin pranveror, sepse me këtë gjendje nuk kemi fuqi të mbajmë asnjë futbollist”, tha një burim brenda klubit.

Klubi po shkon drejt shkatërrimit. “E vërtet që klubi po shkon drejt shkatërrimit! Askush nuk merr përgjegjësi, as komuna dhe gjithçka është keq. Lojtarët dhe trajneri janë në prije. Sa kam informata, pritet mi liruar të gjithë lojtarët dhe trajnerin. Ta shohim deri me 6-7 janar se çka do të bëhet, ndryshe duhet të përqendrohemi me lojtarë juniorë”, ka thënë burimi.  Gjendja është e mjerueshme e një klubit të një qytetit që është i dyti për nga fuqia financiare në Kosovë.  Pozita e parafundit (i 11-ti) me 15 pikë, nuk vlerësohet edhe si e pakalueshme nga ky burim, por sipas tij, nuk ka forcë dhe nuk ka askush zemër që t’i marr përgjegjësitë!

“Nuk jemi keq në tabelë dhe nuk ka asnjë arsye mu dorëzuar, sepse me investime e përforcime do të largohemi nga pjesa e poshtme. Por askujt nuk po ia ndien për klubin, ka mbetur as në tokë as në qiell dhe a do të kemi shpëtimtar, do të shihet. Sa e shoh deri me tash, askush nuk merr përgjegjësi as nuk merr iniciativë për ta shpëtuar.

Nuk jemi larg pjesës së dytë të kampionatit, kur dihet se me 9 shkurt e kemi ndeshjen e çerekfinales për Kupë me Feronikelin, ndërsa nuk e dimë se kur do t’i nisim përgatitje dhe si do t’ia bëjmë me fond të lojtarëve. Gjithçka është mjegull”, ka deklaruar burimi. Disa që nuk dua të flasin me emër, thonë se klubi me shumë gjasë po shkon drejt privatizimit. Sipas burimeve jozyrtare, flitet se një anglez mund ta marrë klubin. “Po flitet se klubin mund ta marr një investitor i huaj. Kjo me gjasë do ta privatizojë klubin dhe për këtë është e interesuar edhe Komuna”, thonë burimet e afërta me klubin.  

Fundja, kjo krizë të Ferizaj nuk është as e para dhe as e fundit, por gjithmonë ballafaqohen me kësi telashe dhe disa herë kanë humb edhe statusin në elitë, shkaku i këtyre krizave. “Ferizaj me mall e bën me investua dhjetëfishin më shumë të mjeteve për me u kthye në ligë, se sa dyfishin me pak për me mbetur në ligë. Ky është mentaliteti!”, tha një burim.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat