3 arsye pse Cristiano Ronaldo është më i madhi i të gjitha kohërave

Futboll

3 arsye pse Cristiano Ronaldo është më i madhi i të gjitha kohërave

Më: 9 janar 2019 Në ora: 06:15
33-vjeçari, Cristiano Ronaldo

Futbolli është një sport që ka përçarë gjithmonë opinionin publik, por një nga debatet që mund të mos mbyllet kurrë është ai që ka të bëjë me lojtarin më të mirë të të gjitha kohërave. 

Në varësi të periudhës kur dikush ka lindur, shumë tifozë të futbollit mund t'i përgjigjen në mënyra të ndryshme pyetjes së kush është më i miri i të gjitha kohërave. Katër dekada më parë, pjesa më e madhe do të kishte zgjedhur legjendën e Brazilit, Pele; tre dekada më parë do të kishte qenë maestro i Argjentinës, Diego Maradona. 

Ndërkohë, pjesa më e madhe e atyre që kanë lindur në vitet 2000 zgjedhin mes Cristiano Ronaldo-s dhe Leo Messi-t. E vërteta është se të gjithë lojtarët e lartpërmendur kanë qenë/janë të mëdhenj. Arritjet e portugezit janë të ngjashme me ato të rivalëve të tij, por në dekadën e fundit ai ka treguar se është më i miri nga të gjithë.  

Këto janë tri arsye që tregojnë pse CR7 është më i miri i të gjitha kohërave:

3 - Ka dominuar në 3 kampionate të ndryshme europiane

Pele, Maradona dhe Messi mund të përmenden si rivalë të Ronaldo-s, por një gjë që e ndan portugezin nga ata, është natyra e tij kërkuese dhe vullneti për të qenë më i miri. Ai ka fituar dy prej kampionateve kryesore të Europës dhe është në  rrugën e duhur për të fituar një të tretë. 

Në moshën 33-vjeçare, CR7 ka një koleksion arritjesh sportive që shumë të tjerë mund vetëm ta ëndërrojnë, duke përfshirë këtu Messi-n, Maradona-n dhe Pele-në. Pasi ka fituar trofe të shumtë, duke përfshirë Premier League dhe Champions League me Manchester United, portugezi ka bërë të njëjtën gjë edhe me Real Madrid. 

Madje, ai ka bërë një hap më shumë me "Los Blancos", duke i udhëhequr ata drejt tre triumfeve të njëpasnjëshëm në Champions League, si asnjë ekip tjetër më parë. Asnjë nga rivalët e tij nuk e ka bërë një gjë të tillë. 

Ronaldo ka dominuar në Premier League, La Liga dhe aktualisht po dominon në Serinë A me Juventus-in, ku është golashënuesi më i mirë me 14 gola. Vetëm lojtari më i madh i të gjitha kohërave mund të ketë një ecuri të tillë. 

2 - Më i miri për kombëtaren dhe klubin

Një analist i njohur sportiv ka thënë dikur se ka një diferencë të madhe mes një lojtari të mirë dhe një lojtari të madh. Lojtarët e mirë janë të tillë te një skuadër e veçantë, ndërsa të mëdhenjtë shkojnë më tej duke ndihmuar ekipet e tyre të fitojnë trofe. Ronaldo bën pjesë në të dy kategoritë. 

33-vjeçari ka treguar se është më i miri për kombëtaren dhe klubin. Messi, për shembull, ka patur shpesh vështirësi për të dhënë maksimumin e tij me Argjentinën; Maradona ka qenë thelbësor për kombëtaren, por ka patur ndikim në nivel klubesh vetëm me Napoli-n, ndërsa Pele nuk luajti kurrë jashtë Amerikës së Jugut. 

Jo vetëm që Ronaldo është golashënuesi më  i mirë i Portugalisë, por është edhe kapiteni i parë që ka udhëhequr përfaqësuesen drejt një trofeu, duke ndihmuar portugezët të triumfojnë në Euro 2016. Pele dhe Maradona kanë fituar Kupën e Botës, por mund të thuhet se ata kanë qenë pjesë e disa prej skuadrave më të mira të të gjitha kohërave. 

Në të kundërt, Ronaldo nuk ka qenë aq me fat, por ka arritur gjithsesi një sukses të madh me kombëtaren, pavarësisht mungesës së lojtarëve cilësorë. 

1 - Lojtari më vendimtar në Champions League

Për të qenë të qartë, Cristiano Ronaldo është golashënuesi më i mirë në botë mes futbollistëve që luajnë akoma. Portugezi është një makineri golash, me 586 të realizuar deri tani në karrierën e tij. 

Mes rivalëve të tij për kurorën e më të mirit, vetëm Pele ka shënuar më  shumë. Megjithatë, legjenda e Brazilit nuk ka luajtur kurrë në Champions League, një tjetër kompeticion që dominohet nga Cristiano Ronaldo.  

Asnjë lojtar tjetër nuk ka shënuar më shumë gola në kompeticionin më të rëndësishëm europian për klube se CR7, i cili kryeson me 121 realizime. Duke marrë parasysh faktin se Champions-i konsiderohet kompeticioni më i vështirë për klube në botë, atëherë është e lehtë të kuptosh pse Ronaldo është më i miri i të gjitha kohërave. 

Jo vetëm që e ka fituar pesë herë këtë kompeticion, po ai ka qenë golashënuesi më i mirë i Champions League në katër vitet e fundit. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat