Eric Cantona: Solskjaer është pasardhësi i Ferguson

Futboll

Eric Cantona: Solskjaer është pasardhësi i Ferguson

Më: 23 shkurt 2019 Në ora: 13:54
Eric Cantona dhe Ole Gunnar Solskjaer

Eric Cantona nuk flet shpesh për mediat, por "Mbreti" ka gjithnjë diçka me vlerë për të thënë dhe fjalët e tij janë me rëndësi të veçantë për Manchester United.

Legjenda franceze ka komentuar zhvillimet e fundit tek United dhe ka pasur lëvdata për trajnerin Ole Gunnar Solskjaer, duke theksuar se tashmë United duhet ta konfirmojë absolutisht norvegjezin, i cili është vetëm përkohësisht në drejtim.

"Çdo klub ka momente të këqija, edhe më të mëdhenjtë. United do të kthehet ku i takon, por më e dhimbshmja ka qenë humbja e identitetit të klubit. Mund të humbasësh, por duhet ta bësh në mënyrë dinjitoze, me identitetin e duhur dhe filozofinë tënde. Edhe kur fitonte, United nuk i kënaqte tifozët, ata duan të fitojnë, por gjithashtu ta shijojnë ndeshjen, sepse futbolli është zbavitje", shprehet Cantona në një intervistë për Paddy Power Neës.

"A është kthyer tashmë buzëqeshja? Po, dhe merita është e Ole Gunnar Solskjaer. Ai ka shpirtin e këtij klubi, e kupton menjëherë që është frymëzuar nga Alex Ferguson. Është si Johan Cruyff dhe Pep Guardiola te Barça, Ole Gunnar është biri shpirtëror i Alex Ferguson. Jo të gjithë lojtarët bëhen trajnerë të zotë, por disa prej tyre ia dalin mbanë dhe për mua është e rëndësishme që një klub si Manchester United të ketë dikë që ka shpirtin e klubit, që e njeh dhe e kupton atë".

Cantona nuk është i befasuar: "Nuk habitem nga ajo që po bën Ole. Më në fund, klubi ka marrë vendimin e duhur, një vendim që duhej marrë shumë kohë më parë. Tashmë jam i lumtur dhe jam i bindur që Ole meriton të konfirmohet në stol. Nuk e di çfarë marrëveshjeje ka me klubin, por për mua si tifoz është ndjenjë madhështore të ndjej shpirtin e klubit, më në fund. E kishim humbur që kur u tërhoq Ferguson".

Të dielën luhet Man Utd-Liverpool: "Më dhemb shumë kur shoh Liverpool në krye, por po luajnë futboll fantastik. Megjithatë, nëse United do e niste sezonin 10 ndeshje më parë, do ishte në krye. City dhe Liverpool luajnë futboll të bukur dhe sulmues, në stilin që ka qenë i United. Ata kanë tashmë filozofinë që kishte United".

Katër vendet e para në Premier League? " City, Liverpool, Tottenham, United. Titulli? Një herë ishim 12 pikë pas Newcastle dhe u shpallëm kampionë, ndaj nuk i dihet kurrë".    

Titulli? "Man City apo Liverpool, uroj asnjëri. Është si të më pyesësh nëse i dua dhëmbët prej druri apo këmbët prej sfungjeri".

Lojtari i Vitit tek United? "Para Solskjaer, askush. Tani Pogba është fantastik. Ole ia ka gjetur vendin e duhur në fushë, ka vizion dhe pasim, mund të shënojë dhe të pasojë, të organizojë dhe të mbrojë. Sa herë Pogba ka topin, krijohet rrezik, gjithçka mund të ndodhë.

"Që kur Solskjaer ka marrë drejtimin, Pogba nuk ka ndryshuar model apo ngjyrë flokësh. Ndoshta Solskjaer e ka bërë të kuptojë se prioriteti është futbolli. Së pari duhet të jesh i mirë në fushë, pastaj vijnë të tjerat. Tifozët të duan për futbollin, jo për flokët".

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat