Çfarë po pret?

Futboll

Çfarë po pret?

Më: 14 mars 2019 Në ora: 13:09
Elseid Hysaj

Elseid Hysaj u shfaq në krah të trajnerit Carlo Ancelotti, në konferencën për shtyp në prag të ndeshjes ndaj Salzburgut, të vlefshme për Europa Leaguen.

Mbrojtësi shkodran bëri thirrje për përqendrim maksimal, duke kujtuar se asgjë nuk ka mbaruar, pavarësisht se napolitanët arritën të triumfojnë me rezultatin 3:0 në sfidën e parë.

“Luajmë në një stadium të nxehtë dhe përballë një kundërshtari që ka shumë cilësi, pavarësisht se fituam ne 3:0 në ndeshjen e parë. Duhet të tregohemi të qetë dhe të përqendruar maksimalisht, për të kontrolluar lojën nga fillimi në fund. E dimë që do të jetë e vështirë, por do të përballemi pa frikë, për të mbrojtur rezultatin e ndeshjes së parë”, tha mbrojtësi shkodran.

Me ardhjen e Ancelottit, Hysaj është lënë shpesh në bankën e rezervistëve, ndërsa në jo pak raste është aktivizuar edhe si mbrojtës i majtë. Megjithatë, shkodrani pranon qetësisht zgjedhjet e trajnerit dhe shprehet se mund të luajë kudo, ndërsa tregon se mezi pret golin e tij të parë.

“Jemi 23 lojtarë në skuadër dhe të gjithë synojmë të luajmë, por unë jam gati të sakrifikoj dhe të luaj ku të dojë trajneri. Prej kohësh pres golin tim të parë me Napolin dhe angazhohem shumë për ta bërë këtë, por nuk ia kam dalë, Megjithatë jam i qetë dhe natyrisht që do të gëzohesha shumë kur të ndodhë”, tha Elseid Hysaj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat