Bundesliga tronditet nga "bomba" e merkatos: Bayern, çfarë dreqin po bën?

Futboll

Bundesliga tronditet nga "bomba" e merkatos: Bayern, çfarë dreqin po bën?

Më: 30 mars 2019 Në ora: 13:27
Lucas Hernandez

Bayern i Mynihut kishte premtuar prej kohësh se do të niste të bënte investime madhore, duke prekur edhe shifra tabu për futbollin gjerman, ndërsa tani po i bën realitet fjalët e thëna, sepse ka paguar 80 milionë euro për të blerë Lucas Hernandez nga Atletico Madrid.

Francezi është bërë blerja më e shtrenjtë e historisë së Bundesligës, duke thyer rekordin prej 41 milionë eurosh, që Bayern kishte paguar për Tolisso, ndërkohë që në Gjermani skandalizohen edhe nga paga e Hernandez, 13 milionë euro në vit!

Natyrisht, mediat në Gjermani kanë nxituar të ngacmojnë disa nga klubet e Bundesligës dhe qartësisht ka pasur zhgënjim, për faktin se hendeku me Bayern po rritet nga viti në vit, në çdo drejtim, por ka pasur edhe sulm direkt ndaj bavarezëve..

Drejtori sportiv i Dortmundit, Michael Zorc, ruan qetësinë: "Çdo klub ka politikën e vet në lidhje me transferimet". Deklaratë diplomatike, sepse Dortmundi është në garë për titull me Bayern-in dhe nuk i nevojiten polemika.

Drejtori sportiv i Borussia Monchengladbach, Max Eberl, nuk është aq diplomatik: "Ato shifra janë utopike për ne. Në Mönchengladbach vetëm në ëndërr i shohim shifra të tilla. Jemi vite dritë larg Bayernit, vetëm 89 klube në botë arrijnë t'i kalojnë kufij të tillë".

Edhe më i ashpër është treguar manaxheri i përgjithshëm i Hannover 96, Horst Heldt, i cili ka sulmuar Bayernin, duke e akuzuar se ka humbur kontaktin me realitetin. Në një klub si Hannover, buxheti vjetor është pak a shumë sa shpenzoi Bayern për Hernandez, ndaj tronditja ka qenë e pashmangshme.

"Ta marrë dreqi, është një shumë e frikshme, çfarë po ndodh kështu? Vlera e një futbollisti nuk ka lidhje me realitetin e jetës. Nisëm të kullotim edhe ne aty ku të tjerët kanë kohë që kanë shkuar. Hannover ka shpenzuar 17 milionë euro në total për merkaton verën e shkuar, po bëhet gjithnjë e më e vështirë për të mbijetuar kështu. Nuk do e paguaja kurrë atë shifër, është merkato e çmendur. Nuk e di çfarë u thotë mendja klubeve që shpenzojnë shifra të tilla".

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat