Partizani do përmbysjen në Gjirokastër, “zjarr” në Kukësi-Teuta  

Futboll

Partizani do përmbysjen në Gjirokastër, “zjarr” në Kukësi-Teuta  

Më: 3 prill 2019 Në ora: 11:50
Partizani do përmbysjen në Gjirokastër, “zjarr” në Kukësi-Teuta  

Përcaktohen sot katër skuadrat gjysmëfinaliste të Kupës së Shqipërisë, që do të tentojnë deri në fund të grenë lart trofeun e dytë më të rëndësishëm në vend. Një Kupë për prestigj por edhe një “portë” për dy hyrë në Europa League sezonin e ardhshëm. Në fakt, Skënderbeu është kualifikuar pa luajtur në gjysmëfinale, për shkak të përjashtimit të Kamzës, ndaj sot do të zbresin në fushë 6 skuadra. Në orën 14:00, do të luhen dy takime, në Laç, Laçi-Tirana, dhe Gjirokastër, Luftëtari-Partizani. Në orën 17:00, në “Elbasan Arena”, do të zhvillohet takimi i fundit, Kukësi-Teuta.

Pa u ftohur gjakrat e sfidës së kampionatit, Laçi e Tirana përplasin sërish brirët, këtë radhë në Kupë, ku bardheblutë udhëtojnë në tranfsertën kurbinase me avantazhin e madh të fitores 3-0 të takimit të parë në “Selman Stërmasi”.

Praktikisht, duket e pamundur që skuadra e Sulejman Starovës të përmbysë këtë rezultat, edhe për faktin se bardheblutë, ende “të hidhur” nga barazimi në minutën e 99-të në takimin e pak ditëve më parë, janë maksimalisht të angazhuar për të mos e vënë në diskutim në asnjë moment kualifikimin.

Trajneri Mema nuk do të ketë në dispozicion mbrojtësin Turtulli dhe sulmuesin Ngo, mungesa që nuk mund të justifikojnë në asnjë mënyrë një humbje të thellë me 3 apo më shumë gola diferencë.

Në Gjirokastër, po në 14:00, skuadra që kryeson kampionatin, Partizani, do të tentojë të përmbysë rezultatin zhgënjyes të ndeshjes së parë, ku u mposht 1-2. Barazimi në kampionat me një rival të drejtpërdrejtë si Kukësi e ka rritur entuziazmin në kampin e kuq, ku besojnë se mund t’i fitojnë të dy trofetë.

Partizani ka 22 vite që në fiton në Gjirokastër e në këtë kontekst ka shumë arsye për ta thyer këtë tabu. Gega, përtej mungesave të rëndësishme si Telushi e Hila, pa harruar edhe Idrizajn (edhe Mala a ndonjë tjetër është në dyshim për arsye dëmtimi), do të hedhë në fushë formacionin më të mirë të mundshëm, duke zhvendosur Trrashin në mesfushë, krah Atandës, ndërsa Rexhepi rikthehet në qenër të mbrojtjes. Në fundjavë të dyja skuadrat do të përplasen sërish, por këtë radhë në “Selman Stërmasi” për kampionat, ndaj sfida e kthimit e Kupës do të shërbejë edhe si test për ndeshjen e radhës.

Në 17:00 do të luhet takimi ndoshta më interesant i Kupës, Kukësi-Teuta. Barazimi 2-2 i ndeshjes së parë në “Niko Dovana” la gjithçka të hapur e fakti që luhet në Elbasan, në një terren shumë cilësor dhe me dyer të hapura bën që faktori fushë të jetë i barasvlefshëm për të dy formacionet. Parashikohet një përballje spektakolare, me një epërsi të lehtë të verilindorëve, falë golave të shënuar në fushën kundërshtare.

Kupa e Shqipërisë është trofeu më i lakmueshëm si për nënkampionët e Shqipërisë ashtu edhe për “Djemtë e Detit”, duke ditur që Partizani tashmë i shkëputur në kampionat dhe vështirë se mund ta humbë titullin.

Sa u përket formacioneve, trajnerit Ndreu i mungon vetëm kapiteni Ylli Shameti, ndërsa Bledi Shkëmbi nuk do të ketë në dispozicion te Teuta vetëm Sidibenë, për shkak dëmtimit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat