Messi, kapiteni “shekullor” i Barçës. Ja shifrat mbresëlënëse

Futboll

Messi, kapiteni “shekullor” i Barçës. Ja shifrat mbresëlënëse

Më: 23 prill 2019 Në ora: 19:46
Leo Messi

Në Vitoria, ku Leo Messi ka luajtur dy ndeshje në La Liga dhe ka shënuar tre gola, ylli argjentinas mund të bëhet “një shekull” (100 ndeshje) si kapiten i Barcelonës. Ylli nga Rosario e filloi këtë rrugëtim më 30 mars 2013, në Balaídos. Herën e parë që Messi e mbajti shiritin e kapitenit ishte më 27 korrik 2008, në miqësoren e dytë të epokës së Pep Guardiolës, kundër Dundee United (1-5). Sidoqoftë, ai moment nuk i llogaritet si kapiten, sepse nuk ishte ndeshje zyrtare dhe hyri në fushë si zëvendësues, pas pushimit mes dy pjesëve. Shiriti i dha shtysë Leos, sepse shënoi një “hat-trick”.

Pep Guardiola ishte shumë i qartë kur mori drejtimin e ekipit katalanas: Messi duhej të ishte një nga udhëheqësit, sidomos pas Ronaldinho dhe Deco. Dhe kështu ishte, edhe pse argjentinasi gjithmonë kishte përpara (si kapitenë) liderë të tillë si Puyol, Xavi dhe Iniesta. Vetëm kështu shpjegohet fakti se, në sezonin e tij të 15-të si lojtar i Barcelonës, ky është viti i tij i parë si kapiten i parë. Sidoqoftë, tashmë ka grumbulluar 99 ndeshje si kapiten, në pritje që të bëhet “një shekull” në këtë drejtim. 

Messi u hodh në fushë si kapiten i Barcelonës në ndeshjen zyrtare kundër Celta Vigo në Balaídos. Atë ditë, për shkak të mungesës së Puyol, Xavi, Valdes dhe Iniesta në formacionin fillestar, shiriti shkoi në krahun e numrit “10” të skuadrës katalanase. Që atëherë, ylli argjentinas ka luajtur 99 ndeshje si kapiten. Me këtë status të Messit, Barça ka fituar 74, ka barazuar 15 dhe ka humbur 10 ndeshje. Pesë herë fituesi i “Topit të Artë” ka shënuar 105 gola në këtë periudhë kohore.

Kapitenët e mëdhenj katalanas, që i kaluan 100 sfida me shirit në krah, ishin: Carles Puyol (392 ndeshje), Xavi Hernández (156 ndeshje) dhe Andrés Iniesta (151 ndeshje). Messi, me kontratë deri në qershor 2021 në “Camp Nou”, mund t’i parakalojë dy mesfushorët në këtë drejtim, por jo ish-mbrojtësin e njohur. 

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat