Icardi larg Interit, ja dy shkëmbimet që e mbajnë në Serie A

Futboll

Icardi larg Interit, ja dy shkëmbimet që e mbajnë në Serie A

Më: 25 prill 2019 Në ora: 12:14
Mauro Icardi

E ardhmja e Mauro Icardit tek Interi nuk është e sigurt. Sidomos nëse Spalletti do të mbetet në stolin zikaltër. Marrëdhënia e këtij të fundit me ish-kapitenin e “shkurorëzuar” është e ftohtë, pavarësisht fjalëve të Wanda Nara, e cila siguroi për besnikërinë e burrit të saj ndaj Interit. Megjithatë, klubi e di se marrja e 110 milionë eurove të përcaktuara në klauzolën e lirimit të Icardit do të jetë shumë e vështirë. Prandaj, Interi, sipas “Tuttosport”, mirëpret një shkëmbim të mundshëm.

Në këtë kuptim, rruga që çon Icardi te Juventusi, ku Marotta dëshiron “të peshkojë” Paulo Dybala, “nxënësin” e tij të vjetër, mbetet e hapur. Edhe mundësia e shkuarjes së Icardit te Napoli nuk përjashtohet. Në këtë rast, shkëmbimi do të bëhej me Lorenzo Insigne, i cili mund të shkojë tek Interi. Hipoteza e shkëmbimit me Juventusin apo Napolin do ta lejonte Interin të përfitonte një shumë të majme financiare, çka do t'i jepte mundësinë Spallettit të blinte një sulmues të dytë, që aktualisht mungon tek Interi.

Sipas “Tuttosport”, Wanda Nara, nga ana e saj, do të preferonte të qëndronte në Itali për arsye profesionale dhe familjare. Kjo do të thotë se zgjidhja më e rehatshme do të ishte transferimi i Icardit te Juventusi.  Nga jashtë, megjithatë, opsioni i vetëm i hapur mbetet Madridi, ku Atletico po mendon seriozisht për të, ndërkohë që Reali është klubi i ëndrrave të Maurito. Sot për sot, një gjë duket e sigurt: e ardhmja e argjentinasit do të jetë larg Interit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat