Bartomeu: Planifikimi i sezonit të ardhshëm ka nisur

Futboll

Bartomeu: Planifikimi i sezonit të ardhshëm ka nisur

Më: 17 maj 2019 Në ora: 16:59
Bartomeu: Planifikimi i sezonit të ardhshëm ka nisur

Barcelona do të rinisë nga Ernesto Valverde. Pavarësisht zhgënjimit të thellë për eliminimin nga Liga e Kampioneve pas përmbysjes së pabesueshme të Liverpulit (katalanasit fituan 3-0 në “Camp Nou”, por humbën 4-0 në “Anfield Road”) në gjysmëfinale, presidenti i klubit blaugrana, Josep Maria Bartomeu, konfirmoi besimin te 55-vjeçari edhe për sezonin e ardhshëm.

“Ernesto ka mbështetjen time dhe atë të të gjithë bordit drejtues: është trajneri që duam, ka një kontratë në fuqi dhe jemi shumë të kënaqur prej tij. Projekti ynë është afatgjatë”, pranoi numri 1 i katalanasve gjatë ceremonisë së promovimit të një libri, duke shtuar më pas: “Planifikimi i sezonit të ardhshëm ka nisur prej pak kohësh. Disa lojtarë kanë firmosur dhe me të tjerë do të vazhdojmë të flasim pas finales së Kupës së Mbretit (në program për datën 25 maj kundër Valencias). Lojtarët janë duke e rimarrë veten pas goditjes psikologjike që pësuan: vijmë nga një humbje e dhimbshme dhe duhet të rigjejmë shpirtin dhe entuziazmin. Por jemi duke e marrë veten nga eliminimi në Champions”.

Barcelona do të provojë ta mbyllë sezonin me një tjetër trofe për të harruar shijen e eliminimit me Liverpulin. Dhe me titullin në xhep dhe ndoshta edhe me trofeun e Kupës së Mbretit, drejtuesit e Barçës po marrin vendimin e duhur për të mos larguar Valverden nga stoli. Trajneri rinovoi në shkurt, kontratë e cila do ta mbajë në “Camp Nou” edhe sezonin e ardhshëm, me opsionin e rinovimit edhe për një tjetër vit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat