"Hysaj largohet", agjenti ia ofron mbrojtësin rivalit të Napolit

Futboll

"Hysaj largohet", agjenti ia ofron mbrojtësin rivalit të Napolit

Më: 30 maj 2019 Në ora: 09:28
Elseid Hysaj

Mario Giuffredi, agjent i Elseid Hysaj dhe Mario Rui te Napoli, ka folur për Radio Marte në Napoli, duke e bere praktikisht të sigurt largimin e mbrojtësit kuqezi. 

"Kritikat ndaj Hysajt? Them vetëm që me Sarrin ishte mbrojtësi anësor më i mirë në Itali dhe Europë. Ma kërkoi Juventus, por Elseidi refuzoi, sepse donte të fitonte titullin me Napolin. Nuk e kuptoj si mund të kritikohen gjithnjë ai dhe Rui, rënie këtë sezon kanë pasur të gjithë nga pak, sepse me Ancelottin ndryshoi edhe skema e lojës. 

"Është e drejtë që të ndryshojë ambient pas 4 vitesh në Napoli. Hysaj do largohet për një klub të rëndësishëm, janë interesuar Atletico Madrid dhe disa klube të tjera të nivelit të lartë. Paratici i Juves e ka pëlqyer gjithmonë, mund të bisedojmë. Edhe Mario Rui do largohet, jashtë Italisë, edhe pse më vjen keq për Napolin".

Hysaj u transferua te Napoli në 2015, që e bleu për 5 milionë euro nga Empoli, ndërsa tani vlera e tij ka shkuar te 25 milionë eurot, futbollisti shqiptar më i shtrenjtë në qarkullim. Kontrata e mbrojtësit të djathtë skadon më 2021.

Tani Giuffredi po bisedon me përfaqësues të Interit, klub që ka kohë që e vëzhgon mbrojtësin dhe pret ndonjë ulje çmimi nga Napoli. Megjithatë, kthimi i Sarrit në Itali, te Juve, mund të hapë ndonjë rrugë për kalimin e Hysajt te kampionët e Italisë, edhe pse aty shanset për të qenë titullar janë më të vogla. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat