Argjentina-Brazili, ngrihen temperaturat në Kupën e Amerikës.

Futboll

Argjentina-Brazili, ngrihen temperaturat në Kupën e Amerikës.

Më: 2 korrik 2019 Në ora: 11:58
Argjentina-Brazili, ngrihen temperaturat në Kupën e Amerikës.

Ngrihen temperaturat në Kupën e Amerikës. Në orët e para të së mërkurës, pikërisht në 02:30, luhet superklasikja Brazil-Argjentinë, e para gjysmëfinale e këtij turneu.

Në Belo Horizonte do të vihen përballë dy skuadra që së bashku kanë mundur të fitojnë 7 tituj botërorë dhe që janë rivale të përjetshme në fushën e lojës. Ndërkaq, Brazili e ka fituar një përballje ndaj Argjentinës, atë të kostos së lojtarëve. Futbollistët e “Seleçaos” kanë një vlerë në merkato prej 970 milionë eurosh kundrejt 650 milionëve të Argjentinës.

Për sa i përket aspektit sportiv, Brazili do të jetë pa Neymar, që u dëmtua në kavilje duke u detyruar të braktisë këtë edicion të Kupës së Amerikës, por trajnerit Tite nuk i mungojnë alternativat dhe së fundmi sulmi i është besuar Coutinhos, Firminos, Gabriel Jesus apo Everton.

Kurse te Argjentina të gjithë i kanë sytë nga Lionel Messi. Kapiteni i bardhekaltërve e ka pranuar vetë se paraqitja e tij në këtë kompeticion nuk ka qenë shumë e mirë dhe tani të gjithë presin që përballë rivalëve të Brazilit ai të shfaqë versionin më të mirë të tij, atë të Barcelonës.

32-vjeçari do të përballet me një makth, portierin Alisson Becker, që në dy sezonet e fundit ka qenë protagonist në eliminimet e bujshme të Barcelonës e Messit në Ligën e Kampioneve me Romën dhe Liverpoolin.

Për më tepër Alisson  nuk ka pësuar gol në 8 ndeshjet e fundit me përfaqësuesen dhe “The Reds” dhe kjo e bën Brazilin akoma më favorit për të fituar këtë ndeshje e për të kaluar në finalen e Kupës së Amerikës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat