Marotta kundër Wanda Nara: Menaxherët, si tregtarë bimësh me shumicë...

Futboll

Marotta kundër Wanda Nara: Menaxherët, si tregtarë bimësh me shumicë...

Më: 6 korrik 2019 Në ora: 14:33
Beppe Marotta

Pak nga pak, Beppe Marotta dhe Piero Ausilio po përpiqen t'i vënë në dispozicion trajnerit të ri, Antonio Conte, një ekip që mund të jetë konkurrues në Itali dhe në Europë. Për “Sportweek”, drejtori menaxhues i klubit zikaltër, në radhë të parë foli për trajnerin e ri, që konsiderohet një përforcim i rangut të lartë: "Interi i madh është duke lindur. Ekipi është zakonisht pasqyra e klubit. Në këtë moment, Interi është një klub i madh, me pronësi të fuqishme financiare, me drejtues largpamës dhe me Antonio Conte në stol, trajner i nivelit të lartë".

Zikaltrit janë aktivë në merkato, por për Marotta, negocimi është bërë më i vështirë, për shkak të menaxhërëve që improvizojnë. Qartësisht, referimi është ndaj Wanda Nara, gruas-agjente të Icardit: "Më ka pëlqyer gjithmonë të bëj merkato, por tani pak më pak, sepse shoh shumë menaxherë improvizues. Menaxherët sot janë si tregtarë bimësh me shumicë... Italo Allodi kishte të drejtë, kur tha se bota e futbollit është e vetmja, ku një murator bëhet arkitekt nga një ditë në tjetrën. 

Një menaxher ka pasur shumë më pak ndikim se një trajner në merkato. Në këtë kohë, gjithkush mund të bëhet menaxher futbollistësh. Personalisht nuk i konceptoj dot shpenzimet e mëdha për ta. Sidoqoftë, shpesh klubet janë të detyruar ta bëjnë këtë, në mënyrë që të përfundojnë operacionin e dëshiruar. Jam i kënaqur me ato të gardës së vjetër, si Branchini, Tinti, Damiani, Sergio Berti dhe disa të tjerë".

Nëse do të kishte fuqinë për t’i ndryshuar gjërat, Marotta do të transformonte botën e merkatos në futboll: "Në negociata duhet të jesh i zgjuar dhe transparent, në të njëjtën kohë. Nuk duhet të bëni shaka me palën tjetër. Gënjeshtrat pranohen, por për lëshime të mira dhe të vyera. Shtrëngimi i duarve nuk është më i vlefshëm”. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat