PSG pa Neymar ndaj Rennes

Futboll

PSG pa Neymar ndaj Rennes

Më: 3 gusht 2019 Në ora: 11:51
PSG pa Neymar ndaj Rennes

Si zakonisht dueli që çel sezonin në Francë është pikërisht takimi i Superkupës, megjithatë tashmë është shndërruar në traditë dhe për të 11 vit radhazi “Trophee des Champions” do të zhvillohet jashtë kufijve të këtij vendi. Për të shtatin sezon rresht privilegjin për të luajtur në këtë takim e ka Paris SG, klubi që po dominon prej vitesh futbollin transalpin, sidoqoftë përballë ekipit kryeqytetas këtë herë do të jetë Stade Rennais.

Për parizienët nuk do të luajë Neymar, i cili, përveçse është shndërruar në çështje për shkak të dëshirës së tij për t’u larguar, mbetet i pezulluar për shkak të përplasjes me një tifoz të Rennes, në përfundim të finales së Francës. Kjo ndeshje ka marrë rëndësi kryesisht në çerek shekullin e fundit, sepse më herët ka patur ndërprerje dhe jo gjithmonë është zhvilluar.

Historia e Superkupës së Francës daton në vitin 1949 dhe më pas nuk u luajt më për 6 sezone, ndërkaq shkëputje për dy vjet pati gjithashtu edhe në mesin e viteve 60, ndërsa kurioz mbetet fakti që nga viti 1973 e deri në vitin 1995, kur filloi të luhej rregullisht, kjo sfidë u mbajt vetëm dy herë, në vitet 1985 e 1986. Pikërisht viti 1995 i ndryshoi edhe emrin këtij dueli, për t’u quajtur “Trophee des Champions” dhe si për ironi të fatit përsëri del në skenë klubi parizien, që atë vit në Brest mposhti 6-5 pas goditjes së 11-metërshave ekipin e Nantes, pasi koha e rregullt përfundoi me shifrat 2-2.

Ky është edicioni i 24-t pra i “Trofeut të Kampionëve” dhe pas shtegtimeve në Kanada, Tunizi, Marok, Shtetet e Bashkuara, Gabon apo dhe Austri, takimi hapës i sezonit për futbollin francez do të mbahet në Kinë.

Për të dytin vit rresht ky takim do të luhet në Shenzhen, qytet me popullsi prej 12.5 milionë banorësh. Klubi parizien ka koleksionuar 6 edicionet e fundit të këtij aktiviteti, duke mundur nga dy herë respektivisht Lionin dhe Monakonë si dhe kundërshtarë si Bordeaux e Guingamp.

Vitin e kaluar ekipi i drejtuar nga Thomas Tuchel shpartalloi me rezultatin e thellë 4-0 pikërisht klubin nga Principata, gjithsesi dy fitoret radhazi ndaj ekipit nga Montecarlo e barazuan Paris SG në vendin e parë me Lyonin, me nga 8 Superkupa gjithsej.

Rennais, pas takimit të humbur në vitin 1965 me Nantes, krenohet me suksesin e vitit 1971, megjithëse historia e këtij viti në mënyrë interesante ka dy fitues, pasi takimi ndërmjet klubit breton dhe Olimpikut të Marsejës u mbyll në paqe 2-2 dhe gjithçka u la me aq.

Në mënyrë të kuptueshme ekipi parizien shkon në “Lindjen e Largët” falë titullit të 6-të në 7 vitet e fundit në Le Championnat, ndërsa Rennais fitoi të drejtën për udhëtuar drejt Kinës pasi ktheu Kupën e Francës në Bretanjë, pas një periudhe prej afërsisht gjysmë shekulli.

Në Ligue 1 sezonin e kaluar ekipi i gjermanit Thomas Tuchel e mbylli kampionatin me 16 pikë më shumë se sa Lilla e vendit të dytë, në një kohë kur në krahun tjetër skuadra e drejtuar nga Julien Stephan nuk shkoi përtej mesit, më saktë pozicionit të 10, me plot 39 pikë më pak se sa ekipi parizien.

Diferencat ndërmjet dy klubeve kuptohet janë vërtet shumë të mëdha, megjithatë më 27 prill, si për ironi të fatit, ekipi breton mundi në finalen e madhe të Parisit, në Kupën e Francës, në Tempullin e futbollit të këtij vendi Saint-Denis, pikërisht skuadrën pariziene. Në Stade de France “kuqezinjtë” përmbysën disavantazhin e dy golave, për të çuar takimin në kohën shtesë, ndërsa pas gabimit të sulmuesit të ri Nkunku nga pika e bardhë Rennais kompletoi befasinë më të madhe të gjithë sezonit dhe koleksionoi një trofe që i mungonte klubit prej plot 48 vjetësh, sidoqoftë në këtë finale vlen të përmendet gjithashtu edhe dalja me karton të kuq, pak përpara përfundimit të kohës shtesë, e golashënuesit më të mirë të sezonit Kylian Mbappe.

Nkunku, Dani Alves, Buffon dhe Krychowiak janë emrat më të spikatur që janë larguar nga ekipi parizien, ndërkaq në skuadër janë afruar mesfushori Idrissa Gueye nga Evertoni, mbrojtësi Abdou Diallo nga Borusia e Dortmundit, Pablo Sarabia nga Sevilja si dhe mesfushori tjetër spanjoll Ander Herrera nga Manchester United.

Ekipi breton nuk është paraqitur mirë gjatë fazës përgatitore, teksa ka dështuar për të gjetur qoftë edhe rrugën e rrjetës, në miqësoret me kundërshtarë si Celtic, Brest dhe Leipzig, ndërsa klubi parizien, që vazhdon të ketë probleme me çështjen Neymar, këtë herë preferoi për të mos marrë pjesë në International Champions Cup, por gjithsesi skuadra e drejtuar nga Thomas Tuchel është shfaqur plot luhatje.

Edhe në bilancin ndërmjet dy skuadrave Paris SG ka fituar vetëm 2 nga 4 përballjet e fundit ndërmjet tyre, sidoqoftë takimi do të zhvillohet në orën 13:30 në Stadiumin e Qendrës Sportive Universitare të Shenzhenit, impiant me kapacitet prej 60.000 spektatorësh dhe do të drejtohet nga 36-vjecari Benoit Bastien.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat