Onbashi: Kjo fitore është e gjithë Kosovës jo vetëm e Mitrovicës 

Futboll

Onbashi: Kjo fitore është e gjithë Kosovës jo vetëm e Mitrovicës 

Më: 8 gusht 2019 Në ora: 16:43
Seid Onbashi

Fitore që do të mbahet mend e vashave të Mitrovicës, në hapje të grupit 2 të kualifikueseve për Champions League.

Futbollistet e Mitrovicës treguan lojë të madhe, në bazë të rasteve fitorja ka mundur të jetë edhe më bindëse se 2:1 ndaj Olimpia Cluj nga Rumania. Liridona Syla dhe Ambra Gjergji, realizuan për fitoren e kampiones së Kosovës, duke i lënë të shokuar futbollistet rumune!  

Image

Kryetrajneri i Mitrovicës, Seid Onbashi, po e bën një punë të madhe, ka vënë rend e disiplinë, ka ndërtuar një lojë të mirëfilltë, e cila rezultoi edhe me fitore në hapje të grupit, kësisoj udhëheqin renditjen me 3 pikë, duke lënë pas vetes Breznicën e Malit Zi me 1 pikë, NSA Sofia nga Bullgaria (1) dhe Olimpia Cluj (0).  

Onbashi tha se kushtet janë shumë të mira në Nikshiq dhe shpreson në rezultat pozitiv edhe në takimin e radhës që luhet të shtunën (me 10 gusht, në orën 17.30) kundër NSA Sofia. Brenga e vetme e Onbashit është se ka disa lojtare të lënduara, që është një hendikep i madh për ta. 


“Bota sot”: Mitrovica shënon fitore (2:1) historike në garën më prestigjioze, Champions League, çfarë e veçojë në duel me Olimpia Cluj nga Rumania?
Seid Onbashi:
Fitorja e parë në Champions nga një skuadër nga Kosova. Në këtë ndeshje të gjithë e dimë që kishim të bëjmë me bartësin e grupit dhe favoritin kryesor por dëshira e madhe e vajzave, angazhimi dhe çka e veçojë më së shumti disiplina taktike na solli deri te fitorja. Dua t’i falënderoj të gjitha vajzat duke mos e nda asnjë veç e veç, pasi dihet që jemi një ekip i mirë si grup, nuk dallohemi me individ.

“Bota sot”: A e keni pritur këtë fitore?
Seid Onbashi:
Duhet të bëhemi realist, nuk e kemi pritur as ne po askush por këto i ka futbolli. Edhe pse kemi fituar me një goldallim fitorja ka mundur me qenë edhe më bindëse sikurse t’i realizonim rastet.

“Bota sot”: Të shtunën do të përballeni me NSA Sofia nga Bullgaria, një sfidë më e vështirë se me Olimpia Cluj?
Seid Onbashi:
Të shtunën do të përballemi me NSA, një ndeshje shumë e vështirë, sipas informacioneve që kemi kanë ofruar në skuadër përforcime. Për neve është një ndeshje me rëndësi të madhe sepse me fitore jemi më afër kualifikimit. Duhet prej sotit të mendojmë vetëm për at ndeshje. Fitorja e djeshme ishte fitore historike por duhet jo ta harrojmë për të fillojmë të mendojmë për NSA.  Kemi shikuar sot ndeshjen e tyre dhe ne si shtab jemi duke i analizuar.

“Bota sot”: A besoni se do ta kaloni grupin, ku i sheh përparësitë e Mitrovicës?
Seid Onbashi
: Po, me fitore e arritur dje neve na u kanë rrit aspiratat dhe shpresojmë shumë që do ta kalojmë grupin. Përparësinë e shoh të ekipi jonë, se jemi një grup i shëndosh e kemi kombinuar një skuadër me përvojë dhe lojtare të reja e të talentuara.

“Bota sot”: Në xhiron e tretë ndesheni edhe me Breznicën, a mendoni se kjo ndeshje do të jetë edhe vendimtare për kualifikim?
Seid Onbashi:
Jo, mendoj që ndeshja me NSA do të jetë ndeshje vendimtare por varet edhe nga rezultati i kësaj ndeshje, nëse fitojmë atëherë jemi afër kualifikimit. Megjithatë varet edhe nga ndeshja Olimpia-Breznica.

Image

“Bota sot”: A jeni adaptuar me ambientin, si trajtoheni në Nikshiq?
Seid Onbashi
: Po, ne jemi të vendosur në Hotel Centreville në Podgoricë, gjithçka është në rregull, ndërsa ndeshjet i luajmë në Nikshiq, nuk kam vërejtje.

“Bota sot”: Sa jeni i kënaqur me fondin e lojtareve, sa mund ia dilni edhe në anën tjetër me kushtet, a ju ndihmon dikush dhe çfarë i premton tifozëve?
Seid Onbashi
: Fondi lojtareve është i mirë edhe pse kemi mungesa të mëdha. Kemi 4 lojtare të lënduara, si Edona Kryeziu, Suada Jashari, Mimoza Islami, Diellza Musa, të gjitha këto lojtare që nuk u paraqiten as dje përpos nga Suada që është afër për t’u riaftësuar dhe të na ndihmoj.  

Kushtet i kemi shumë të mira duke ju falënderuar kryetarit Hajrulla Haxhiu i cili na mundëson të mos mendojmë për asgjë vetëm për lojë dhe për fitore sepse të gjithë jemi me pagesa. Kemi edhe drejtorin e klubit Adnan Ademi i cili e kryen punën në mënyrën perfektë. Edhe në fund kjo fitore është e gjithë Kosovës jo vetëm e Mitrovicës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat