Mes Shqipërisë dhe Kosovës

Futboll

Mes Shqipërisë dhe Kosovës

Më: 15 gusht 2019 Në ora: 14:24
Mes Shqipërisë dhe Kosovës

Ndarja e rrugëve me Kukësin ka hapur dyert e merkatos. Një mbrojtës si Ylli Shameti, pa diskutim një ndër më të mirët në rolin e tij, vlera që i ka provuar duke ndalur sulmuesit më të mirë është një objekt dëshirash dhe ofertat nuk i mungojnë.

Një konkrete në dyert e gjirokastritit ka mbërritur nga Gjilani, klubi i Superligës së Kosovës i ka bërë një propozim padyshim joshës nga ana financiare, bëhet fjalë diku te 500 mijë lekë të reja në muaj, por gjithsesi nga burime pranë lojtarit filtron një lloj hezitimi nga ana e 35-vjeçarit, që edhe pse e vlerëson maksimalisht interesimin e klubit kosovar preferon një aventurë të re në kryeqytet për të qëndruar pranë familjes.

Në këto kushte alternativat reduktohen ndjeshëm dhe për momentin më joshësja është Tirana, klubi me historinë më të pasur dhe që këtë vit ka bërë një merkato të rëndësishme me synimin për t’u rikthyer e madhe në vitin e 100 vjetorit të themelimit.

Interesimi në fakt është reciprok, pasi edhe në klubin bardheblu nuk mund të qëndrojnë indiferentë ndaj një okazioni të tillë të merkatos pavarësisht se Tirana ka bërë goditje të tjera të kalibrit të eksperiencës në mbrojtje si Tefik Osmani e Kristi Vangjeli, ndërkohë që pret hedhjen e firmave edhe me Andi Lilën.

Për këtë arsye është fiksuar edhe një takim mes palëve për të parë nëse egzistojnë mundësitë e krijimit të një bashkëpunimi, natyrisht gjithçka përqëndrohet te  termat financiarë. Shameti mori një vendim të vështirë për tu ndarë me Kukësin pikërisht për shkak të ofertës së ulët ekonomike që ju bë për rinovimin e kontratës, dhe e di se vështirë se Tirana mund t’i afrohet financiarisht edhe ofertës nga Gjilani, por dëshira për të qëndruar në kryeqytet mund të bëjë që me propozimin e duhur, mbrojtësi të veshë fanellën bardheblu.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat