Trondit Klopp: Mos u çuditni nëse pensionohem pas 2 vjetëve

Futboll

Trondit Klopp: Mos u çuditni nëse pensionohem pas 2 vjetëve

Më: 20 gusht 2019 Në ora: 22:59
Jurgen Klopp

Jurgen Klopp ka habitur duke deklaruar se mund të pensionohet nga puna e trajnerit në dy apo tri vjetët e ardhshme.

Klopp u emërua trajner i Liverpoolit në vitin 2015, pas një periudhe të suksesshme me Borussia Dortmund, ku e fitoi Bundesligën dy herë, dhe ka kontratë deri më 2022.

Gjermani është shndërruar në njërin prej trajnerëve më të mirë në botën e futbollit dhe sezonin e kaluar e fitoi Ligën e Kampionëve për herë të parë me Liverpoolin.

Stili i futbollit të guximshëm dhe eksitues i Klopp dhe presioni i lartë që skuadrat e tij ushtrojnë ndaj kundërshtarëve, i kanë argëtuar tifozët e Dortmundit dhe Liverpoolit njëlloj, derisa skuadrat rilave gjithmonë e kanë pasur të vështirë të përballen me fuqinë sulmuese të ekipeve të tij.

Por, Klopp po mendon t’ia kthejë shpinën zejes së trajnerit më herët se tifozët e Liverpoolit do të dëshironin të ndodhte, në fund të marrëveshjes aktuale me të kuqtë.

Duke folur për Sport Bild, Klopp u pyet nëse një ditë do ta merrte drejtimin e Bayern Munich para se të bëhej trajner i Gjermanisë.

Ai bëri shaka për mënyrën sesi do të donte t’i jepte fund karrierës.

“Kjo është renditja sesi do të doja ta bëja unë. Së pari ekipi kombëtar, pastaj Bayerni, pastaj Dortmundi dhe mandej Liverpooli përjetë”, bëri shaka Klopp.

“Nuk ia kam idenë, megjithatë. Vërtet nuk e di. Shpresoj se në dy apo tri vjetet e ardhshme do të vazhdoj kështu. Pastaj do të vendos. Çdo gjë është e mundur. Është e mundur që do të pensionohem, ka mundësi. Nuk e di nëse do të ndodhë kështu apo jo”, theksoi Klopp.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat