Zeqiri, Hasani e Hyseni, ku janë dhe çfarë po bëjnë?

Futboll

Zeqiri, Hasani e Hyseni, ku janë dhe çfarë po bëjnë?

Më: 1 shtator 2019 Në ora: 16:09
Zeqiri, Hasani e Hyseni, ku janë dhe çfarë po bëjnë?

Si te Gjilani po ashtu edhe të Drita, kanë dalë emra mjaft cilësor në periudhën e pas luftës, ku kanë lënë edhe gjurmë. Emrat që lanë gjurmë padyshim janë edhe Arben Zeqiri, Alban Hyseni dhe Liridon Hasani, ish treshja (ish futbollistët) e Gjilanit.

Vitet e pas luftës kanë sjellë si shumë herë emocione e rivalitet të madh dy skuadrat e të njëjtit qytet, Gjilani – Drita! Ballafaqimi i këtyre rivalëve të përbetuar shumë herë ka sjellë në tribuna deri në 10 mijë shikues dhe edhe drithërima! Si te Gjilani po ashtu edhe të Drita, kanë dalë emra mjaft cilësor në periudhën e pas luftës, ku kanë lënë edhe gjurmë.

Emrat që lanë gjurmë padyshim janë edhe Arben Zeqiri, Alban Hyseni dhe Liridon Hasani, ish treshja (ish futbollistët) e Gjilanit. Konsiderohen në mesin e ndër futbollistëve më të mirë që ka pasur KF Gjilani në historinë e tij. Kur kjo treshe luante për KF Gjilanin konkretisht në vitin 2007/08, skuadra luftonte për titullin e kampionit (atëkohë futbollistët me rroga 200-300 euro, ndërsa sot flitet se marrin 2000 deri 4000 euro), duke u shquar në tre repartet e lojës.

Alban Hyseni, ishte në mbrojtje i pakalueshëm, i fortë, inteligjent, stabil madje shpesh edhe duke qenë golashënues, derisa  gazetarët e quanin Fabio Canavaro i Kosovës meqë atëbotë italiani ishte mbrojtësi më i mirë në botë. Për disa vite rresht barti me sukses shiritin e kapitenit të KF Gjilanit kurse llogaritej ndër mbrojtësit më të mirë në futbollin e Kosovës.

Arben Zeqiri e quanin Sneijderi i Kosovës, mesfushori kreativ fantazist i cili me 8 gola të shënuar dhe me 8 asistime kontribuoi që në vjeshtën e vitit 2007 Gjilani të rreshtohej në vendin e 3 pas ekipeve të forta atëbotë siç ishin Prishtina e Vëllaznimi. Shënonte supergola nga gjuajtjet e lira dhe zakonisht eurogola nga distanca. Liridon Hasani i quajtur si Doni-gol, njeriu i golit që edhe sot e tutje mbetet golashënuesi më i mirë historinë e KF Gjilani.

Për disa vite rresht mbante Gjilanin gjallë me golat vendimtar duke qenë ndër sulmuesit më të kërkuar në futbollin tonë. Veçmas tifozët “Skifterat” nuk mund ti harrojnë asnjëherë golat e tij kundër rivalit lokal Dritës.

Nga vitet 2003 deri më 2011 Drita asnjëherë nuk arriti të mposhtë KF Gjilanin, pikërisht sepse në radhët e kuq e bardhëve luanin futbollistët vendor që me fanatizëm mbronin ngjyrat e fanellës që përfaqësonin. Me shumë nostalgji tifozët i kujtojnë emrat edhe të shumë futbollistëve tjerë që asokohe mbanin KF Gjilanin në majat e futbollit tonë.

Xhevdet Muji, Naser Sahiti, Enver Sermaxhaj, Shpetim Azizi, Bashkim Arifi, Fidan Bajrami, Musa Selimi, Muharrem Sahiti, Selajdin Jerliu, Sadullah Ajeti, Faton Krasniqi, Sami Rrahmani, Isa Sadriu, Besnik Kollari, Mentor Uruqi, Ardian Bajraliu, Premton Muja, Sabri Osmani, Mizhdat Berisha, Halim Hodaj, Adnan Aliu, Afrim Ajdini, Bekim Jahaj,  Veton Xhemajli, Burim Terziu, Halil Halili, Ardian Bajraliu, Albert Behluli, Skënder Ibrahimi, Agron Beqiri, Naser Ajeti, Florim Murseli, Ismet Ramushi, Genc Sermaxhaj etj. Ky klub ka pasur emra të mëdhenj edhe në kohën e okupimit dhe që disa prej tyre kanë luajtur edhe në ligat federative të ish Jugosllavisë.

Imagjinojeni sikur këta futbollistë të lartpërmendur, ti kishin kushtet e punës dhe pagesat sikurse i kanë sot futbollistët aktual te SC Gjilani?! Zeqiri, mesfushori-trekuartist-fantazist, që bënë pjesë ndër mesfushorët më të mirë në futbollin tonë të pasluftës. Ai sivjet është martuar me Nora Hysenin.

Pjesë e KF Gjilani nga viti 1993 deri më 2013 kur u përshëndet nga futbolli aktiv. Asistues perfekt për bashkëlojtarët derisa ka shënuar mbi 50 gola në fanellën e KF Gjilani. Pas përfundimit të karrierës aktive punoi për dy vite me radhë si trajner i fitnessit fizik në Gardën Presidenciale të Emirateve të Bashkuara Arabe, duke u përzgjedhur në mesin e tetë trajnerëve më të përgatitur në Kosovë. Me tu kthyer nga Dubai ka hapur shkollën e tij private të futbollit "KOHA" në të cilën punon në zbulimin e talentëve të rinjë derisa nga viti 2005 punon dhe vazhdon të punojë si mësimdhënës i Edukimit Fizik dhe Sportit në Gjimnazin "Zenel Hajdini" në Gjilan.  

Në vitin 2002 është shpallur sportisti i ri më i mirë në Gjilan derisa në vitin 2007 është zgjedhur sportisti më i mirë në qytetin e Gjilanit. Ndër vite konsiderohej si mesfushori më i mirë jo vetëm në KF Gjilani por në përgjithësi në futbollin tonë. Së fundi është pajisur me licencën C dhe B të UEFA-së kurse licencën A së shpejti do ta përfundojë në Kroaci. Alban Hyseni, konsiderohet ndër mbrojtësit më të mirë në historikun e KF Gjilani, duke bartur me sukses për disa vite rresht  shiritin e kapitenit, njëherit duke qenë ndër mbrojtësit më të mirë.  

Ishte i pakalueshëm në mbrojtje, inteligjent e stabil me topin dhe që rrallëherë humbiste duelet 1-1. Aktualisht ushtron funksionin ndihmës trajnerit në ekipin e parë të SC Gjilani derisa ne dy raste e ka udhëhequr edhe ekipin e parë siç ishte rasti në vitin e kaluar kur me sukses ia siguroi SC Gjilani mbijetesën. Po ashtu kryen detyrën e pedagogut dhe mësimdhënësit të Edukimit Fizik  dhe Sportit. Është i martuar me Lindita Nebihu –Hyseni, mësimdhënëse-ligjëruese e Ekonomisë në Universitetin "Kadri Zeka", si dhe janë prindër të bukuroshit Anel. Liridon Hasani, golashënuesi më i mirë në historinë e KF Gjilani nuk harrohen asnjëherë golat e tij në derbit kundër rivalit lokal Dritës, derisa konsiderohej për vite me radhë ndër sulmuesit më të mirë. Në kohën më të mirë, në moshën 26 vjeçare lëndohet rëndë në derbin kundër Dritës duke ndikuar pikërisht ai lëndim që të mos mund të kthehej më në formën e dikurshme, dhe për këtë arsye ndërpret karrierën si futbollist më 2013 për të filluar punë  me grup-moshat e KF Gjilani.

Në vitin 2014 ka mbaruar studimet në Fakultetin e Edukimit Fizik dhe Sportit derisa në vitin e kaluar i ka dhënë fund beqarisë duke  u martuar me Resmijen në shtetin e Zvicrës atje ku edhe vazhdon të jetojë. Ashtu siç i takuam të buzëqeshur e të hareshëm ashtu edhe u ndamë nga ta, duke parë në qenësitë e tyre shoqërinë besnike e të sinqertë që me fanatizëm e ruajnë përherë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat