Muriqi: Ndeshja me Çekinë do të jetë vendimtare

Futboll

Muriqi: Ndeshja me Çekinë do të jetë vendimtare

Më: 5 shtator 2019 Në ora: 10:56
Muriqi: Ndeshja me Çekinë do të jetë vendimtare

Kombëtarja e Kosovës ka vazhduar stërvitjet me intensitet të lartë për ndeshjen kundër Çekisë, e cila zhvillohet të shtunën në orën 15:00 në stadiumin “Fadil Vokrri”.

Gjatë stërvitjes përzgjedhësi Bernard Challandes ka punuar në dinamikën e lojës, duke i kushtuar vëmendje secilit repart, teksa ka kërkuar nga futbollistët që të jenë sa më vigjilent. Disiplina në punë dhe harmonia në ekip janë të jashtëzakonshme, derisa dëshira për ta vazhduar serinë e sukseseve është e jashtëzakonshme. Fatmirësisht të gjithë futbollistët që janë në grumbullim janë në formë të mirë dhe nuk vuajnë nga lëndimet. Edhe në stërvitjen e sotme pjesë e ekipit ishte futbollisti i Bolognas, Lirim Kastrati, i cili ishte grumbulluar me Kombëtaren U21. Stërvitjen e sotme e kanë ndjekur një numër i konsiderueshëm i tifozëve, të cilët në shumë raste kanë duartrokitur aksionet e mira të Dardanëve në stërvitje, teksa afër futbollistëve ka qenë edhe presidenti i FFK-së, Agim Ademi.

Pas stërvitjes së sotme në konferencë për media janë paraqitur Vedat Muriqi dhe Florent Hadërgjonaj. Ata kanë shprehur optimizmin e tyre se përkundër shumë mungesave të rëndësishme në ekip për shkak të lëndimeve, do të arrijnë që të japin më të mirën e tyre dhe t’i gëzojnë tifozët me një fitore të radhës.

“Kemi mjaft mungesa, por kemi një grup që mund t’i përballojë këto mungesa. Po përgatitemi maksimalisht që të jemi plotësisht te gatshëm. Mendoj se ndeshja me Çekinë do të jetë vendimtare, pasi me fitore këtu e kalojmë më shumë se gjysmën e rrugës”, ka theksuar Muriqi.

Ndërkaq, Florent Hadërgjonaj, ka theksuar se duhet të përqendrohen në ndeshjen me çekët dhe të japin maksimumin për të korrur fitore, derisa për paraqitjen e tij në krahun e majtë gjatë stërvitjeve u shpreh: “Kam luajtur edhe në Gjermani e Angli si i majtë, megjithëse preferoj të luaj në krahun e djathtë. Mirëpo, nëse trajneri ma kërkon një gjë të tillë nuk është problem. Jam i gatshëm ta ndihmoj ekipin”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat