Milani “përçahet” për trajnerin; Maldini kërkon qetësi, Boban do pikët

Futboll

Milani “përçahet” për trajnerin; Maldini kërkon qetësi, Boban do pikët

Më: 28 shtator 2019 Në ora: 13:05
Marco Giampaolo

Milani është i detyruar për “shëlbim” të menjëhershëm, që ta ndryshojë drejtimin e ndeshjeve të fundit. Pas dy humbjeve radhazi (dhe vetëm 6 pikë në renditje), stoli i trajnerit Giampaolo ka nisur të lëkundet. Ai e sheh veten në fije të perit, duke filluar nga ndeshja e së dielës kundër Fiorentinës. Për momentin, klubi kuqezi ka konfirmuar besimin e vet ndaj Marco Giampaolo, gjithashtu sepse janë parë disa hapa përpara kundër Torinos, të paktën në pjesën e parë të ndeshjes. Rezultatet mungojnë, gjë që nuk është çështje e parëndësishme. Por, pikërisht për këtë arsye, Maldini kërkon qetësi dhe durim për të ardhmen e trajnerit.

Ai e zgjodhi vetë dhe, sipas “Corriere dello Sport”, vazhdon të jetë admiruesi i trajnerit. Paolo dëshiron të vazhdojë me Giampaolo, sepse projekti sapo ka filluar dhe nuk mund të eklipsohet për shkak të disa pikëve të humbura rrugës. Megjithatë, ish-kapiteni legjendë i kuqezinjve nuk përfaqëson vendimmarrjen e vetme të Milanit në këtë drejtim. Në udhëheqje është edhe një njeri tjetër shumë i fortë, i cili e ka emrin Boban. Kroati është ai, që ka filluar të ketë disa dyshime për aftësitë e Marco Giampaolo. Këtë gjë e kanë lënë të kuptohet tashmë përmes deklaratave publike, ka dy javë. 

Dhe nga ai moment, rruga e kuqezinjve nuk ka ndryshuar, përkundrazi; Milani ka humbur edhe dy ndeshje, kundër Interit dhe Torinos. Për këtë, Boban, pa e ekzagjeruar me presionin, shfaqi vizionin e tij të ndryshëm ndaj kolegut dhe shokut të punës, Paolo Maldini. Sipas kroatit, në këtë pikë të sezonit, procesi i angazhimit të lojtarëve të rinj, që ai vetë i bleu personalisht, është shumë i ngadaltë. Një gjë është e sigurt: do të jenë dy sfida vendimtare për Giampaolo dhe Milanin, kjo e radhës ndaj Fiorentinës dhe e javës tjetër kundër Genova. Klubi ka nevojë për rezultate dhe mbi të gjitha rritje të qëndrueshme nga këndvështrimi i punës ekipore.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat