Trajneri i Liverpoolit, Jurgen Klopp, nuk mendon se epilogu i ndeshjes kundër Manchester Cityt, do të jetë përcaktuese se kush në cilën pozitë do ta mbyllë edicionin.
Derbi i madh i kampionatit anglez zhvillohet të dielën në orën 17:30. “Reds” të dielën do të jenë mikpritës të “Citiziens” në kuadër të javës së 12-të në Ligën Premiere dhe në rast të fitores do të kishin 9 pikë më shumë se skuadra e Pep Guardiolës.
“Luajmë ndeshjen e javës së 12-të që do të thotë se na presin edhe shumë ndeshje tjera. Jemi të vetëdijshëm se shumë njerëz këtë ndeshje e shohin si vendimtare, por na presin edhe shumë ndeshje në nëntor, dhjetor e janar, prandaj duhet të jemi të gatshëm edhe për ato.
Nuk mendojmë shumë për atë se epilogu i kësaj ndeshjeje mund të ndikojë në pjesën e mbetur të edicionit”, ka thënë Klopp.
I pyetur nëse kjo ndeshje nuk guxon të humbet, strategu gjerman është përgjigjur: “Ndoshta ka njerëz më të mençur se unë, të cilët këtë e shohin në këtë mënyrë, por unë jo. Për mua kjo është një ndeshje në të cilën dua të fitojmë”.