Presioni nuk do të jetë vetëm mbi Kosovën

Futboll

Presioni nuk do të jetë vetëm mbi Kosovën

Më: 12 nëntor 2019 Në ora: 10:26
Presioni nuk do të jetë vetëm mbi Kosovën

Kombëtarja e Kosovës ka nisur përgatitjet për dy ndeshjet e fundit në kuadër të kualifikimeve për Euro 2020, kundër Çekisë dhe kundër Anglisë.

Këto dy ndeshje janë tejet të rëndësishme, ngase epilogu i tyre mund t’i japë Dardanëve biletën për në Kampionatin Evropian, ëndërr kjo e kamotshme e shumë gjeneratave. Mirëpo, përkundër rëndësisë së madhe të këtyre ndeshjeve, si përzgjedhësi Challandes, ashtu edhe futbollistët janë të qetë dhe kanë filluar me përkushtim të përgatiten sidomos për ndeshjen e parë në Plzen, më 14 nëntor, ku do të ballafaqohen me rivalin direkt për pozitën e dytë në renditjen e Grupit A, Çekinë.

Në stërvitjen e parë grupi nuk ka qenë i kompletuar, ngase për shkak të ndeshjeve të zhvilluara të shtunën kanë munguar disa prej futbollistëve. Për shkak të problemeve me lëndime nuk u paraqitën Herolind Shala dhe Leart Paçarada, derisa Vedat Muriqi u stërvit ndaras prej pjesës tjetër të lojtarëve, për shkak të shqetësimeve në nyjën e këmbës, lëndim të cilin e pësoi në fundjavë në kampionatin turk. Stërvitjen e sotme e ndoqën nga afër presidenti Agim Ademi, nënkryetari, Bakir Burri dhe sekretari i përgjithshëm, Eroll Salihu, si dhe një numër i konsiderueshëm i qytetarëve.

Ndërkohë, në konferencë për media pas stërvitjes u paraqitën Samir Ujkani dhe Amir Rrahmani, të cilët e pranuan se misioni i kualifikimit është i vështirë, por jo i pamundur për t’u realizuar. Të dy theksuan se presioni për fitore në Plzen është tek çekët.

“Ne po shohim ndeshjen e së enjtes, që është një finale për ne. Atje duhet patjetër të japim maksimumin dhe të marrim rezultat maksimal. Duhet të marrim pikët për ta bërë ëndrrën realitet, ky është qëllimi ynë. E dimë që nuk do të jetë aspak e lehtë. Kemi fatin që në muajin mars të kemi edhe një rast tjetër për t’u kualifikuar, por ne duhet të mendojmë vetëm për ndeshjen e së enjtes, për të marrë rezultatin që na vlen. Stresin e kanë çekët, sepse luajnë në shtëpinë e tyre. Atyre u vlejnë ndoshta të dy rezultat, fitorja dhe barazimi, por ne duhet të bëjmë atë që do të na thotë trajneri, duke vijuar me këtë ritëm dhe me pozitivitetin që kemi brenda grupit. Tani se çfarë do të ndodhë në fushë do ta shohim, ka pjesë edhe fati”, ka theksuar Ujkani.

Ndërkaq, Amir Rrahmani ka thënë se ndeshja në Plzen do të jetë me tension, pasi ballafaqohen dy rivalët direkt për pozitën e dytë. “E dimë që është një ndeshje shumë e vështirë, sepse luajmë ndaj kundërshtarit direkt për vendin e dytë. Takimin e parë në shtëpi e kemi fituar 2-1, por atje do të jetë shumë ndryshe, me shumë presion. Presioni nuk do të jetë vetëm mbi ne, madje Çekia do të ketë më shumë presion.

Ndoshta është më mirë për ne që ata kanë më shumë presion për fitoren. Kështu që do të jetë një përballje me tension, por qëllimi ynë kryesor është të japim maksimumin. Besoj që rezultati do të vijë. Liga e Kombeve si mundësi e dytë?

Përderisa kemi shans që të kualifikohemi nëpërmjet kualifikueseve të Evropianit, po, besojmë se mundemi dhe duhet ta provojmë. E kemi thënë me kohë që nuk duhet të mendojmë për Ligën e Kombeve sepse kemi përpara kualifikueset. Të gjithë lojtarët janë të fokusuar aty”, ka thënë Rrahmani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat