Tirana plotësohet para supersfidës me Kukësin - Bota Sot
Tirana plotësohet para supersfidës me Kukësin

Futboll

Tirana plotësohet para supersfidës me Kukësin

Më: 18 shkurt 2020 Në ora: 15:39
Tirana plotësohet para supersfidës me Kukësin

Tirana i është rikthyer stërvitjeve pas barazimit ndaj Skënderbeut. Barazimi me korçarët u shoqërua jo vetëm me ndaljen e Kukësit, por edhe të Laçit dhe Bylisit.

Në kreun e tabelës së klasifikimit, ndryshe nga Tirana, bëri mirë vetëm Partizani dhe asnjë rival tjetër i bardhebluve për objektivat e sezonit. Dje, trajneri Egbo ka nisur përgatitjet për ndeshjen me Kukësin, duke pasur në dispozicion vetëm, gjysmën e grupit.

Përgatitjet – Përgatitësi atletik i skuadrës ka drejtuar një seancë shkrythëse për muskujt me lojtarët titullarë që zbritën në fushë ndaj Skënderbeut. Pas ushtrimeve dhe programit me ta, i cili u zhvillua në fushën me bar natyral, Egbo dhe përgatitësi atletik kanë drejtuar stërvitjen me pjesën tjetër të futbollistëve.

Muça – Në ndeshjen ndaj Skënderbeut, Tirana zbriti në fushë pa Gent Muçën. Qendërmbrojtësi i kryeqytetasve kaloi një virozë dhe temperatura e lartë ia pamundësoi gatishmërinë për të qenë në fushë ndaj korçarëve. Dje, një lajm i mirë për trajnerin Egbo ka qenë rikthimi i tij në stërvitje dhe me gjasë pritet që mbrojtësi të jetë i rikuperuar për përballjen me Kukësin.

Fusha – Tirana ka luksin që të ketë në dispozicion dy fusha, një me bar sintetik dhe një tjetër me bar natyral. Kjo e fundit i është nënshtruar një rikonstruksioni, rimbjelljeje të barit dhe pritet që shumë shpejt të jetë gati. Me gjasë, një ose dy seanca para sfidës me Kukësin, bardheblutë do ta kryejnë në fushë me bar natyral, në të cilën do të punojnë në vazhdimësi të kampionatit. Për lojtarët do të jetë lehtësi muskulore dhe, me gjasë, edhe ndihmëse dhe përshtatjeje për takimet në vazhdim dhe një “armë” plus për lojën e bardhebluve.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat