Lushtaku tregon se cila skuadër e fiton titullin

Futboll

Lushtaku tregon se cila skuadër e fiton titullin

Më: 13 mars 2020 Në ora: 18:56
Tahir Lushtaku

Gjatë ditës së nesërme, në Superligën e Kosovës do të nis faza e tretë e kampionatit, fazë kjo finale që pritet të vendos edhe skuadrën fituese të elitës së futbollit të Kosovës.

Në 11-të xhirot e ardhshme, janë katër skuadra që do të luftojnë për trofeun më të çmuar në Kosovë.

Lideri aktual i Superligës, Ballkani, shihet si pretendent kryesor për titull kampioni nga trajneri i njohur, Tahir Lushtaku.

Tahir Lushtaku, kryetrajner i KF Drenica

Ky i fundit, për gazetën tha se krahas Ballkanit, aty afër janë edhe ekipet si Drita, Prishtina e Gjilani.

“Janë 4 skuadra që po luftojnë për titull, por edhe për pozitën tjetër që dërgon në Evropë. Unë e shoh Ballkanin si skuadër pretendente për titull, por edhe më seriozen, pasi ka bërë një punë të jashtëzakonshme si klub.

Por, edhe Drita dhe Prishtina janë aty afër por unë i shoh si më me pak gjasa për titull, ndërsa Gjilani nuk po tregon stabilitet dhe do ta ketë të vështirë të luftojë për titull”, tha Lushtaku.

E gjatë ditës së djeshme, tekniku drenicas, për gazetën kishte komentuar edhe vendimin e Qeverisë së Kosovës, që gjitha ndeshjet në futbollin kosovar të zhvillohen pa shikues.

E gjitha kjo, pas frikës së përhapjes së koronavirusit.

Sipas tij, e gjitha kjo është bërë me qëllime të mira, pasi shëndeti është mbi të gjitha.

“Ky vendim mendojë se është i mirë, për arsyeje të këtij virusi Korona, por mendojë që është edhe në favor të vetë tifozëve por edhe futbollistëve në fushë”.

“Gjithsesi, kur ndeshja luhet pa tifozë, atëherë motivi te lojtarët që më u ultë, pasi futbolli luhet për shikues”, tha Lushtaku.

Tekniku drenicas, aktualisht nuk drejton asnjë skuadër pas largimit nga KF Drenica gjatë muajt janar.

Ndërkohë, Federata e Futbollit e Kosovës duke iu referuar vendimit të Qeverisë së Kosovës më datë 11 mars për mbrojtje nga koronavirusi i njofton klubet anëtare të saj dhe opinionin në përgjithësi se:

-Të gjitha ndeshjet e futbollit në Kosovë në kategorinë e seniorëve do të zhvillohen pa praninë e publikut deri më 27 mars, 2020, derisa ligat e juniorëve dhe grupmoshave të reja pezullohen përkohësisht (deri në një vendim të ri).

-Në stadiume gjatë zhvillimit të ndeshjeve do të jenë të pranishëm vetëm stafet e skuadrave, zyrtarët e FFK-së, zyrtarët e klubeve, zyrtarët policor dhe përfaqësuesit e mediave.

-Klubet organizatore të ndeshjeve udhëzohen që të bëjnë vendosjen e dezinfektuesve të duarve në zhveshtore.

-Po ashtu si masë parandalimi ndaj koronavirusit, ashtu sikurse në vendet tjera evropiane rekomandohet që futbollistët dhe stafet e skuadrave të mos e bëjnë përshëndetjen e zakonshme të dhënies së duarve në fillim dhe në fund të ndeshjes.

FFK kërkon mirëkuptimin e futbolldashësve për ndërmarrjen e këtyre masave, derisa do të ndjekë më vëmendje zhvillimet në vend dhe me kohë do të ndërmarrë hapat e nevojshëm.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat