Rifillimi i Serie A, ulja e pagave të lojtarëve, kriza e futbollit; Galliani jep “recetën” e tij

Futboll

Rifillimi i Serie A, ulja e pagave të lojtarëve, kriza e futbollit; Galliani jep “recetën” e tij

Më: 10 prill 2020 Në ora: 11:13
Adriano Galliani

Sezoni në futbollin italian duhet të mbyllet, për të shmangur atë që do të ishte një fatkeqësi ekonomike. Duke pritur të kuptojmë nëse po dhe si do të jetë i mundur rifilllimi, drejtuesit e futbollit atje janë në punë, për të qenë gati kur të qetësohet urgjenca e “Coronavirus”.

Në një intervistë për “Gazzetta dello Sport”, Adriano Galliani, një nga menaxherët më me përvojë të futbollit italian, propozon planifikim të ri të garave, që përfshin turnetë e luajtur në vitin kalendarik, pas asaj që po bëhet tashmë në Amerikën e Jugut: “Po e filloj me një propozim: riskedulimi i ndeshjeve duhet të shtrihet në dy vite, si në Amerikën e Jugut. Atje, kampionati 2020-2021 do të fillojë në shkurt 2021, e njëjta gjë për vitin 2022. Atëherë, mbase do të kthehemi në “botën” e vjetër, para pandemisë. Jam i sigurt që pas dy vitesh do të bindemi se kjo është një zgjidhje e mirë. 

Në verë; korrik ose gusht, duke luajtur në mbrëmje, do të jetë mirë të shikosh futboll, më shumë sesa në muajt e tjerë. Unë mendoj për disa mbrëmje të kupave italiane në janar, veçanërisht në veri. Në fund mund të kemi më shumë audiencë. FIFA tashmë i ka zhvendosur datat e Kupës së Botës 2022 deri në fund të vitit, të bëhet e njëjta gjë me Kampionatin Europian dhe atë të Amerikës më 2021. Duhet të kthehemi të luajmë, për rregullsinë sportive, përndryshe futbolli shpërthen”.

Sipas disave, do të ishte më korrekte ta përfundonin sezonin këtu. Galliani mendon: “Nuk mund të kthehesh të luash symbyllurazi, duhet ta bësh këtë me siguri të plotë. Unë nuk e kuptoj këtë insistim për të shkuar në fushë sa më herët për këtë sezon dhe për të filluar përsëri në shtator sezonin tjetër, kur ndoshta do të qetësohet situata e pandemisë. Në këtë moment nuk mund ta dimë. Qeveria, duke dëgjuar komunitetin shkencor, do të diktojë kohën e rikthimit të futbollit. 

Kampionatet mund të përfundojnë kudo në periudha të ndryshme. Gjermania ndoshta do të fillojë më herët, Italia është përpara Anglisë me kulmin e virusit. Jo të gjithë duhet të mbarojmë në të njëjtën kohë. Kampionatet duhet të përfundojnë në fushë, sepse ky është ligji i sportit. Pra, sistemi duhet të ruhet. Pa u rikthyer në fushë, Seria A do të humbiste një shifër rreth 600 milionë euro, pa llogaritur pjesën që do të vinte për skuadrat që garojnë në Kupat e Europës. 

Një pjesë e vogël do të shkonte për klubet italiane. Nëse kampionati nuk përfundon, futbolli shpërthen. Dhe unë flas për sistemet maksimale, e përsëris. Ka më shumë për të thënë për Serie B dhe C". Situata që është krijuar mund të jetë shkatërruese jo vetëm për Serinë A: “Për shembull, janë 60 ekipe profesionale në Serie C dhe 20 të tjera në Serie B, që mbahen në sajë të kontributit të shumë sipërmarrësve, të cilët tani do të kenë probleme me kompanitë e tyre. Nuk është se ata nuk e duan më futbollin, por tashmë nuk mund të investojnë më në mënyrë të arsyeshme. Problemi me futbollin tonë është se u bazua te patronazhi. 

Tani nuk e di sa mund të vazhdojnë kështu. Futbolli duhet të gjejë vetveten, shteti nuk do të jetë në gjendje ta mbështesë atë më shumë sesa bën me fusha të tjera të jetës. Është e drejtë që futbolli amator të marrë ndihmë nga shteti, sepse ka një funksion shoqëror. Teatri, kinemaja dhe format e tjera të kulturës janë ndihmuar me të drejtë. Në futbollin amator angazhohen një milion fëmijë”.

Javët e fundit është folur shumë për uljen e pagave: “Përqindjet e vlefshme të reduktimit për të gjithë nuk mund të përcaktohen në bllok, shumica e lojtarëve të Serie C fitojnë 26 mijë euro bruto, më të paguarit e Serie A dy mijë herë më shumë. Pra, duhet të mendoni për shtresime të ndryshme. Një klub nuk mund të shkurtojë më shumë se ato që ka humbur, por jo më pak. Nëse kam humbur tre për qind, unë do të shkurtoj tre për qind pagat, nëse kam humbur 14, do të reduktojë 14, nëse nuk ka humbur fare, nuk do të heqë asgjë. Lojtarët duhet ta kuptojnë këtë. Po flas për situatën më të keqe. 

Por, e përsëris: duke u rikthyer në fushë, klubet nuk do të humbnin kaq shumë. Unë nuk e kuptoj këtë nxitim për t'u rikthyer në fushë. Jemi përballë një pandemie. Për sa kohë që nuk ka vaksinë, nuk mendoj se mund të luash para tifozëve. Ndoshta do të jetë e mundur të vazhdohet deri në vjeshtë pas dyerve të mbyllura, pastaj, ndoshta në shkurt, të fillojmë përsëri me tifozë në stadiume, sepse deri atëherë do të ketë një vaksinë. Ne shpresojmë".

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat