Shaqiri zbulon synimet e tij me Liverpoolin

Futboll

Shaqiri zbulon synimet e tij me Liverpoolin

Më: 11 prill 2020 Në ora: 17:33
Shaqiri

Shaqiri jep detaje për të ardhmen e tij në Liverpool

Xherdan Shaqiri e ka pranuar se sfida më e madhe me të cilën do të përballet tani Liverpooli është të qëndrojë në nivelin më të lartë dhe të jetë në garë për trofetë e mëdha çdo vit.

Skuadra e Jurgen Kloppit shijoi suksese të shumta gjatë 12 muajve të vitit 2019, përderisa arritën t’i grumbullojnë trofetë e Ligës së Kampionëve, Superkupës së UEFA-s dhe Kupës së Botës për Klube.

Liverpooli arriti ta krijojë një epërsi prej 25 pikësh në krye të tabelës së Premierligës para se futbolli të suspendohej shkaku i virusit Covid-19, që tani e ka vënë në dyshim trofeun e parë të Liverpoolit si kampion i Anglisë në 30 vjet.

Por, pavarësisht se a arrin Liverpooli të shpallet kampion i Anglisë këtë sezon, Shaqiri e ka vlerësuar si një arritje të madhe suksesin e skuadrës së tij këtë sezon.

“Titulli i Premierligës është veçanërisht shumë i rëndësishëm për këtë klub dhe për shumë prej lojtarëve këtu sepse jo shumë lojtarë kanë fituar trofe. Është e rëndësishme edhe për ata, gjithashtu”, ka thënë Shaqiri.

“Për disa vjet gjithmonë po vinte, po vinte dhe luanim mirë, por s’kishte titull. Ky klub i madh duhet të luftojë çdo vit për titullin. Tani më duket se mentaliteti fitues është këtu dhe është e rëndësishme, dhe e vështirë, të tentojmë të qëndrojmë në nivelin më të lartë. Kjo është sfida më e madhe për klubin tani”.

“Ishte një vit i pabesueshëm për ne në vitin 2019. Për fat të keq s’e fituam ligën, por ishte e mrekullueshme për Liverpoolin ta fitojë titullin e Ligës së Kampionëve. Për mua, ishte hera e dytë”.

“Nuk i harron kurrë ndjenjat e tilla, këto lloj trofesh që i fiton me skuadrën tënde. Dhe të festosh me tifozët, pas një kohë të gjatë që ata s’kishin festuar diçka kaq të madhe në qytet, ishte thjesht e mrekullueshme”.

“Potenciali për këtë skuadër është shumë i madh, mendoj se ne mund të shkojmë sa më lart që është e mundur. Por, ne kemi nevojë të qëndrojmë në gishtërinjtë tonë dhe të jemi në nivelin tonë më të mirë që të jemi shumë, shumë të suksesshëm”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat