Tahir Batatina me akuza të rënda kundër FFK-së  

Futboll

Tahir Batatina me akuza të rënda kundër FFK-së  

Më: 12 prill 2020 Në ora: 22:53
Tahir Batatina me akuza të rënda kundër FFK-së  

Kryetrajneri i Llapit nga Podujeva, Tahir Batatina, ka thënë se nuk mund të hesht përballë padrejtësive që po ndodhin.   

“Të dashur adhurues të futbollit shpresoj që të gjithë të jeni mirë së bashku me familjet tuaja! Dashtë Zoti ta kalojmë në mënyrën më të mirë virusin COVID-19 të shfaqur në tërë njerëzimin.

Jam thellë i shqetësuar me gjendjen aktuale në vend, me klubet dhe të gjithë futbollistët prandaj nuk po mund të rri i heshtur ku pikërisht në këtë kohë të pandemisë pashë dhe u informova për shkeljet e Kryetarit të dënuar me 9 muaj burg efektiv i cili në këtë situatë fillon rregullimin e fushës në Hajvali dhe në të njëjtën kohë jep tenderë për zhvatjen e Federatës së Futbollit e Kosovës dhe për të përfituar së bashku me klanin e tij. Kryetari i dënuar nuk e di se si jep tender pa asnjë kriter dhe asnjë informim për komunitetin sportiv, klubet dhe Sekretarin Gjeneral i cili nuk ka njohuri se çfarë është duke ndodhur me mjetet dhe fondet e ardhura nga UEFA për klubet dhe skuadrat tona.

Image

Kryetari në ikje dëshiron që ta shter buxhetin e Federatës, të fiton nga kjo situatë me klanin e tij dhe të ikë e ne të mbetemi Federata më e varfër. Në këtë kohë kur qeveria i ka ndaluar të gjitha projektet dhe i ka kthyer sytë nga populli për t'i ndihmuar për ta kaluar këtë sfidë, Kryetari në ikje pa e ditur askush punon edhe në këtë kohë të izolimit total vetëm e vetëm që ta shfrytëzoj kohën e pandemisë.

Të nderuara klube, adhurues dhe sponzorë të futbollit e kam një pyetje për ju! A duhet që në këtë kohë të jepen pas dore tenderë milionësh nga Kryetari në ikje apo t'iu dal në ndihmë klubeve në momentet më vendimtare të kësaj kohe?
Tashmë po shihen fytyrat e vërteta dhe personat të cilat kanë kapur futbollin dhe personat e interesit! Ne që po japim kafshatën e gojës për këtë rini apo qeverisja aktuale dhe pikërisht Agim Ademi që po e shfrytëzon kohën ti fitoj milionat në kohë pandemie?

Image

URGJENTISHT kërkoj nga hetuesia, nga njerëzit e krimit dhe
autoritetet përkatëse që të marrin masa dhe të shikojnë se çfarë po ndodh në këtë kohë dhe pse kjo kohë po shfrytëzohet për përfitime, për xhepin e tyre. Kjo është TURP i madh sepse do ta 'vras' djersa e donatorëve, tifozëve dhe lojtarëve ku ata po na bëjnë krenar ndërsa ky kryetar i dënuar punon fusha që askujt nuk i duhen dhe asnjë skuadër nuk i shfrytëzon por sipas informacioneve po ia rregullon kategorive të Kombëtares ndërsa fushat ndërtohen pa asnjë kriter ndërtimor, pa asnjë mbikqyrje ku as Komiteti Ekzekutiv nuk është në dijeni se çfarë është duke ndodhur, ku ne në futboll statutin e kemi kuran sportiv ndërsa KE e kemi organin më të lartë sportiv ku merren vendimet për të gjitha projektet.

Informacionet që mua më erdhën janë se fushat po ndërtohen vetëm për ti kapur mjetet sepse asnjë kriter nuk e plotësojnë as në cilësi e as në kualitet me fushat e ndërtuara më herët dhe se janë me granelat kancerogjen që janë në dëm të futbollistëve tanë.

Image

Kërkoj edhe një herë nga Sekretari Gjeneral, Eroll Salihu që të dal të informoj opinionin futbolldashës se çfarë është duke ndodhur në kohë pandemie ku me mjetet e klubeve dhe me djersën e tyre edhe në këtë situatë punohen fushat në Hajvali vetëm për ta shfrytëzuar virusin COVID-19 për përfitime personale dhe të njerëzve që e kanë kapur Federatën e Futbollit pa dhënë asnjë kontribut në futboll dhe për rininë e këtij vendi.

Ne të gjitha klubet kërkojmë ndihmë nga institucioni jonë më i lartë ndërsa Kryetari në ikje jep tenderë milonësh pa asnjë kriter dhe shfrytëzon pandeminë. TURP, TURP, TURP!!!

Kjo më kujton vitet 1998/1999 kur edhe në atë kohë të okupimit kishte njerëz që shfrytëzonin kohën për të përfituar por një gjë e di se kemi Zot dhe kemi fe dhe një ditë do të pendohen për këto gjëra të liga dhe mashtruese ndaj sportit dhe pikërisht futbollit. Nuk do të ndalemi kurrë deri sa shoh që vendi im dhe institucioni ku punoj po vjedhet dhe po keqpërdoret paraja e qytetarëve dhe pikërisht djemëve dhe vashave tona, adhuruesve të futbollit dhe në veçanti atyre që po e mbajnë gjallë futbollin në këto kohë të vështira.

Me respekt TAHIR BATATINA, një njeri që nuk ka përfituar asnjëherë nga futbolli, por ka dhënë për futbollin më shumë se sa zhvatësit që qëndrojnë në krye të FFK-së!”, shkruan në letrën e hapur Batatina.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat