Sane i uritur

Futboll

Sane i uritur

Më: 4 korrik 2020 Në ora: 18:34
Sane i uritur

Leroi Sane është zyrtarisht një lojtar i Bajernit të Mynihut. Anësori i majtë erdhi për 49 milionë euro nga Mançester Siti dhe do të luajë për kampionët e Gjermanisë deri në 2025-ën, ku do të fitojë 17 milionë euro në sezon. Mund të quhet pa frikë goditja e vitit jo vetëm për Bajernin, por edhe në Europë. Dje për herë të parë, gjermani foli si bavarez duke thënë se ishte i lumtur që kishte zgjedhur një nga skuadrat më të mëdha për të vazhduar karrierën.

Si ndiheni tani që gjithçka ka shkuar në favorin tuaj?
Bisedimet që kishim kryer me drejtuesit e Bajernit më në fund erdhën drejt fundit. Ishin javë intensive dhe për këtë dua të falënderoj menaxherin tim. Plani i bavarezëve më bindi që në fillim, nuk u mendova dy herë. Bajerni është një klub i madh që ka objektiva të mëdhenj. Këta objektiva janë edhe të miat. Ndaj zgjodha të luaj në Mynih.

Këtu njihni jo pak lojtarë. Fakti që luani në kombëtaren gjermane me ta mund të jetë një avantazh për ju?
Mezi po pres të luaj me ta. Me disa prej tyre njihem që me skuadrën e moshave të Gjermanisë. Me Goreckën kam luajtur te Shalke. Janë djem të mirë, të gjithë. Të paktën kështu më kanë thënë (qesh). Është një grup i përzierë me djem të rinj të talentuar dhe lojtarë me eksperiencë. Të gjithë janë të uritur. Ndaj mezi po pres t’i takoj të gjithë dhe të stërvitem me ta.

Çfarë marrëdhënieje keni me Hansi Flik?
Hansin e njoh që nga koha kur ishte drejtues te kombëtarja e U-21. Kemi pasur një marrëdhënie të mirë. Kur bisedova me të, e dija se çfarë më priste pasi e njoh shumë mirë. Ai ka bërë një punë shumë të mirë këtu. Bajerni ishte një skuadër tjetër në fazën e dytë. Harmonia që ka sjellë Flik ka qenë një nga pikat kyçe në fitimin e titullit. Është një njeri pozitiv. Jam i bindur se do të kaloj shumë mirë me të dhe me gjithë skuadrën.

Cili është objektivi juaj me Bajernin?
Besoj se të gjithë e dinë se çfarë kërkohet këtu. Kam ardhur të fitoj sa më shumë trofe. Dhe kur them trofe, e kam fjalën për Championsin. Shpresoj që në të ardhmen ai trofe të vijë në Mynih. Sigurisht që kampionati dhe Kupa e Gjermanisë do të jenë në objektivin tonë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat