“Frikë” nga gafat - Bota Sot
“Frikë” nga gafat

Futboll

“Frikë” nga gafat

Më: 24 korrik 2020 Në ora: 12:37
“Frikë” nga gafat

Bylisi luan sot me Luftëtarin, një ekip që ka rënë nga Superiorja, por presidenti Besnik Kapllanaj dhe trajneri Veljko Dovedan kanë vendosur që të grumbullojnë skuadrën. Në kompleksin “Gjanica” do të qëndrojnë edhe lojtarët që kanë apartamente të siguruara nga klubi në Ballsh dhe qytetin e Fierit. Bylisi ka zhvilluar dje pasdite seancën e fundit, pikërisht në orarin e ndeshjes që do të luhet sot në 17:45.

Ka qenë një stërvitje më e lehtë, në krahasim me ditët e tjera, edhe për shkak se ka pasur një ngarkesë dhe ngjeshje. Vlerësimi është maksimal për bluzinjtë, por në Ballsh duan patjetër 3 pikët dhe shpresojnë që të favorizohen nga ndonjë ndalesë e Vllaznisë në kryeqytet me Partizanin, duke mbyllur kapitullin e fazës “play out”. Drejtuesit kanë kërkuar qe skuadra të ketë mendjen vetëm te dy ndeshjet e veta që i kanë mbetur. Nëse ballshiotët marrin pikët maksimale apo dhe katër pikë në takimet e mbetura, atëherë lënë poshtë vetes Vllazninë, por ndoshta edhe Partizanin. Sfida ndaj Luftëtarit duhet fituar me çdo kusht, prandaj dhe kërkohet përqendrim për të shmangur ndonjë gafë fatale. Te Bylisi ka djegur shumë disfata me Laçin, ku pati jo pak protesta ndaj gjyqtarit Hamiti. I vetmi problem sot është se do të luhet në temperatura të larta, teksa ndikon edhe në uljen e rendimentit të skuadrës. Kjo është vënë re në sfidat me Tiranën, Flamurtarin e Laçin.

MERKATO – Nëse skuadrat e tjera kanë nisur që të lëvizin, në Ballsh momentalisht janë bazuar te kontingjenti aktual dhe vetëm pas dy ndeshjeve do të ketë plane nga presidenca për sezonin tjetër. Bylisi, rreth 90 për qind të skuadrës e ka me kontrata afatgjata. Pjesa më e madhe janë lojtarë nga 19 deri 22 vjeç. Pikërisht këta janë baza e ekipit, prandaj dhe ballshiotët presin që ndonjë prej tyre që ka oferta të shitet, duke sjellë në klub përfitime. Bylisi vazhdon të përfitojë ende nga Peter Olainka, prandaj dhe drejtuesit duan që pas këtij sezoni, ku nuk u arritën objektivat madhorë, të kenë fituar elementë, të cilët mund të jenë gati për t’u transferuar jashtë.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat