Nis revolucioni i Pirlos

Futboll

Nis revolucioni i Pirlos

Më: 11 gusht 2020 Në ora: 12:11
Nis revolucioni i Pirlos

Rinovimi i Juventusit tashmë ka filluar. Pas ndërrimit të trajnerit, me largimin e Maurizio Sarri dhe ardhjen e Andrea Pirlo, tani është koha për ta shkundur skuadrën bardhezi. Sipas “Tuttosport” po kërkohet rrugëdalje për Khedira, Higuaín, De Sciglio, Douglas Costa dhe Matuidi, si dhe Alex Sandro e Rugani. Po ashtu, Aaron Ramsey konsiderohet si një tjetër “spastrim” i mundshëm nga Juventusi. Eleminimi i hershëm në Ligën e Kampionëve dhe rinovimi i skuadrës janë dy argumentet kryesore, që trajneri i ri ta “shkundë mirë pemën”, në mënyrë që shumë mollë të kalbura të bien përtokë, shkruan telesporti.

Pra, klubi synon të heqë qafe lojtarët e kushtueshëm, por pa produkt real në fushën e blertë, nga sezoni i ardhshëm. I pari që mund të paketojë valixhet dhe të shkojë drejt Amerikës është Gonzalo Higuaín, i cili është lidhur javët e fundit me MLS, konkretisht me DC United. Po ashtu, emri i tij lakohet te River Plate. Nga ana e tij, Blaise Matuidi thuhet se ka arritur tashmë një marrëveshje me “Zonjën e Vjetër”, që të ndërpresë kontratën dhe brenda ditëve të ardhshme të kalojë tek Inter Miami i David Beckham, në MLS.

Gjashtë lojtarët e tjerë nuk kanë gjetur ende një ekip të ri për t’i mirëpritur ata, por konsiderohen teprica te Juventusi. Pra, janë në shitje. Në ditët në vijim, shumë prej skuadrave do të interesohen për ta. Nga ana tjetër, Pirlo do të kërkojë të ruajë Cristiano Ronaldo, rreth të cilit të rindërtojë grupin bardhezi. Raul Jiménez (Wolves), Arkadiusz Milik (Napoli), Edin Dzeko (Roma) ose Alexandre Lacazette (Arsenal) mund të përforcojnë sulmin bardhezi, duke llogaritur edhe dy të rinjtë: Sebastiano Esposito dhe Pinamonti. Ndërkohë, Buffon dhe Chiellini do të vazhdojnë edhe për një sezon tjetër.

Edhe stafi teknik i Juventusit do të revolucionarizohet nga Andrea Pirlo, i cili do të ketë bashkëpunëtorë të rinj. Ndihmësi i tij i parë do të jetë Roberto Baronio, asistent i Pirlos si trajner i Juventusit U-23. Dy ish-lojtarë, që filluan të luanin së bashku që nga ditët e rinisë. Brescia ishte pika e takimit mes të dyve, ndërsa u ribashkuan vite më vonë te Reggina. Baronio zbarkoi te Juventusi U-23, i udhëhequr nga Pirlo, pas një sezoni me të rinjtë e Napolit. Që aty u shkarkua në janar, kur skuadra ishte e fundit në kampionat. Para mbërritjes te Napoli, ndihmësi i ri i Pirlos drejtoi disa ekipe të rinjsh italianë, si dhe Italinë U-18 dhe U-19.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat