Fonseca: Florenzin e doja te Roma, Dzeko është lideri ynë

Futboll

Fonseca: Florenzin e doja te Roma, Dzeko është lideri ynë

Më: 17 tetor 2020 Në ora: 18:02
Fonseca: Florenzin e doja te Roma, Dzeko është lideri ynë

Roma do të presë nesër Beneventon në “Olimpico”, në një sfidë ku do të synojë suksesin e dytë radhazi në kampionat, ndërsa trajneri Paulo Fonseca doli sot në konferencën e zakonshme për shtyp, ku foli për merkaton, marrëdhëniet me Dzekon dhe pretendimet e verdhekuqve.

Merkatoja e këtij viti – Trajnerët nuk kënaqen asnjëherë dhe gjithmonë mund të bësh më mirë, por unë nuk e kam thënë kurrë që ne nuk pretendojmë me këtë organikë. Kemi në skuadër futbollistë me cilësi dhe sigurisht që do të provojmë arritjen e objektivave të klubit.

Pozicioni i Pellegrinit – Lorenzo mund të luajë pozicione të ndryshme në fushë dhe kjo është diçka shumë e rëndësishme për një trajner. Ndaj Veronës luajti pak a shumë njësoj si në kombëtare, por mund të bëjë fare mirë edhe rolin e organizatorit. Është lojtar cilësor dhe një vlerë e shtuar për Romën.

Florenzi – Më vjen mirë që po luan rregullisht e po shkëlqen. Kam folur me të këtë verë dhe i kam bërë të ditur që me skemën me 3 mbrapa, do të ketë vend në formacionin e Romës, ndaj i kërkova të qëndrojë, por ai u josh nga ideja që mund të luajë për PSG-në. I urojmë gjithë të mirat.

Marrëdhëniet me Dzekon – Nuk ka asnjë problem mes nesh. Ai stërvitet mirë dhe jep gjithmonë maksimumin në fushë. Është lideri i skuadrës dhe shumë shpejt do fillojë të shënojë rregullisht.

Mayoral dhe Dzeko në formacion – Nuk mund të luajnë të dy, pasi kanë karakteristika të ngjashme dhe me këtë sistem loje, mund të humbim ekuilibrat. Megjithatë në lojë e sipër, në varësi edhe të rezultatit, mund të guxojmë të provojmë diçka.

Benevento – E kam ndjekur në tre javët e para dhe është një skuadër mjaft e mirë, me një trajner të zotin. Kanë humbur vetëm ndaj Interit, por luajnë me guxim dhe vrapojnë shumë, ndaj duhet të bëjmë kujdes.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat