Kessie e meritoi të kuqin për ndërhyrjen ndaj Hakimit

Futboll

Kessie e meritoi të kuqin për ndërhyrjen ndaj Hakimit

Më: 18 tetor 2020 Në ora: 13:50
Kessie e meritoi të kuqin për ndërhyrjen ndaj Hakimit

Milani u rikthye të fitojë një ndeshje derbi pas afërsisht 5 vitesh, teksa triumfoi me rezultatin 1-2 ndaj Interit mbrëmjen e djeshme, në një takim që u vendos nga dy golat e gjigantit suedez Zlatan Ibrahimovic, shënuar në minutat e para të përballjes.

Ndonëse me 39 vite mbi supe, Ibra konfirmoi sërish se mbetet një nga qendërsulmuesit më të mirë dhe nuk fal asgjë në të tilla përballje, ndërsa Interi u shfaq i brishtë në mbrojtje, aty ku serbi Kolarov vijon të zhgënjejë e të bëjë gabime amatore.

Megjithatë moviolat në mediat italiane kanë drejtuar gishtin edhe nga arbitri Maurizio Mariani, i cili u pa shpesh i pasigurt në vendimet e tij dhe me disa prej tyre kushtëzoi jo pak ecurinë e ndeshjes.

Ja rastet për moviolë, sipas mediave italiane:

12’ – E qartë penalltia për Ibrahimoviç. Mbrojtësi serb Alexander Kolarov e godet dukshëm dhe në mënyrë naive suedezin nga pas dhe Mariani nuk ka dyshime për akordimin e penalltisë.

36’ – Abritri injoron një mbajtje të dukshme me dorë të Kjaer ndaj Lautaros, mbi vijën e 16 metrave, duke lënë lojën të vijojë. Sulmuesi argjentinas u rrotullua dhe u nis drejt zonës, por u mbajt nga danezi, që jo vetëm bëri faull, por rrezikoi edhe ndëshkimin me kartonin e dytë të verdhë.

38’ – Lukaku shpërthen në krah dhe Theo Hernandez i jep një shtyrje të lehtë, por e mjaftueshme për t’i humbur ekuilibrin. Arbitri lejon lojën të vijojë, por ishte faull për Interin dhe karton i verdhë për mbrojtësin francez.

56’ – Gabimi ndoshta më i rëndë i arbitrit Mariani. Kessie sheh t’i largohet topi më shumë nga këmbët dhe në tentativë për ta rikuperuar, vendos takën mbi kaviljen e Hakimit në mënyrë të dhunshme. Arbitri çuditërisht nuk vërshëllen faull fare, por faulli ishte i rëndë dhe në limitet e kartonit të kuq. Gjithsesi për Kessie do të mjaftonte edhe një i verdhë për të lënë fushën e lojës, pasi ishte ndëshkuar edhe në pjesën e parë. E habitshme sesi VAR nuk ndërhyn, pasi Chiesa në Crotone-Juventus u ndëshkua me karton të kuq për një faull akoma më të lehtë sesa ai i Kessie.

74’ – Arbitri akordon penallti për Interin, por më pas anulohet gjithçka nga VAR-i për pozicion jashtë loje të Lukakut. I drejtë interpretimi i Irratit në VAR, pasi prekja e Kjaer ishte aksidentale dhe nuk e shpëtonte Lukakun nga pozicioni jashtë loje.

93’ – Lukaku shërbehet në zonë dhe i vetëm me Donnarummën gjuan keq e dërgon topin jashtë, por ka dyshime për një kontakt mes tij dhe Theo Hernandez, me mbrojtësin që godet këmbën e belgut dhe ndikon në gjuajtjen e gabuar./SS/.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat