Mesazhi emocionues i Napolit për Maradonën

Futboll

Mesazhi emocionues i Napolit për Maradonën

Më: 26 nëntor 2020 Në ora: 23:49
Foto Ilustrim

Diego Maradona ka ndërruar jetë në moshën 60-vjeçare duke tronditur botën e futbollit.

Legjenda argjentinase ka pësuar një atak kardiak dhe nuk i ka mbijetuar atij duke ndërruar jetë në Argjentinë.

Maradona ka luajtur për klube shumë të mëdha, si Boca Juniors, Barcelona, Napoli, Sevilla e Newell’s Old Boys.

Sigurisht që famën më të madhe e mori te Napoli, ku kaloi shtatë vite dhe u bë idhull i napolitanëve.

Në 188 ndeshje zyrtare me Napolin, Maradona shënoi 81 gola duke u bërë ikonë në klubin italian.

Me Napolin, Maradona fitoi dy tituj të kampionit italian, një Kupë të Italisë, Kupën e UEFA-s dhe Superkupën e Evropës.

Napoli sot ka luajtur ndaj Rijekas në Ligën e Evropës dhe të gjithë futbollistët kanë zbritur në fushë me fanellën numër 10-të që e mbante Maradona.

Spikeri zyrtar i stadiumit, ka lexuar një mesazh drithërues para fillimit të ndeshjes, duke i bërë të gjithë të pranishmit në stadium me lot në sy, teksa mijëra tifozë ishin mbledhur jashtë stadiumin ‘Sao Paolo’ për ta kujtuar legjendën argjentinase.

“Diego, dashuria e vetme dhe e pamasë. Nëse bota po qan lojtarin më të madh të të gjitha kohëve, Napoli këtë natë feston një bir, një mik, një baba dhe një vëlla”.

“Diego, dashurira e vetme dhe e pamasë. Kampioni, ylli, idhulli, mbreti, gjeniu i papërsëritshëm i universit të kaltër që na ka dhuruar një ëndërr të përjetshme”.

“Faleminderit për emocionet, për gëzimet, për shkëlqimin, për zemrën tënde të pamasë që nuk do të ndalet kurrë së rrahuri. U ngrite edhe një herë nga toka për të hyrë në legjendë”.

“Munde vdekjen për t’iu dorëzuar mitit. Dhe tani, Diego, na merr përsëri me vete në parajsë. Ky është qyteti yt, kjo është shtëpia jote, ky është populli yt, këta janë njerëzit e tu. Diego, dashuria e vetme dhe e pamasë. Napoli do të të dashurojë gjithmonë!”, ishte mesazhi emocionues i Napolit. 

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat