Imeri: Te Vllaznia ndihem shumë mirë

Futboll

Imeri: Te Vllaznia ndihem shumë mirë

Më: 8 dhjetor 2020 Në ora: 16:57
Imeri: Te Vllaznia ndihem shumë mirë

Sulmuesi shqiptar nga Maqedonia e Veriut, Demir Imeri është shndërruar në një titullar te Vllaznia e këtij sezoni, ndërsa sot ishte në krah të trajnerit Brdaric në konferencën për shtyp në vigjilje të ndeshjes me Kastriotin.

Imeri vlerësoi maksimalisht kundërshtarët dhe pranoi se kuqeblutë i pret një sfidë e vështirë nesër në Kamës, por theksoi se do të bëjnë të gjithë maksimumin për t’u larguar që aty me një tjetër 3-pikësh.

Si ndjeheni te Vllaznia?
Të them të drejtën ndjehem shumë mirë. Vllaznia është një skuadër me djem shumë të mire, të cilët më kanë ndihmuar të ambientohem shumë shpejt dhe ndjehem sikur të kisha shumë vite këtu. Po bëjmë mirë edhe në terren dhe shpresoj të vazhdojmë kështu.

E njihni historinë e klubit?
Këtu jam në një skuadër ku tifozët kërkojnë gjithmonë anën ofensive, atë të fitores. Më pëlqen kjo gjë sepse më ka ndodhur edhe me Shkëndijën e Tetovës ku ishte i njëjti presion për të fituar. Megjithatë tashmë jam mësuar me të.

Do të qëndroni gjatë në Shkodër?
Ta shohim këtë gjë. Jemi në rrugë të mirë dhe pastaj do shohim se çfarë ka shkruar Zoti për këtë gjë.

Ju mundon fakti që nuk keni shënuar ende në kampionat?
Kjo është e vërtetë, kam shënuar tre gola në kupë dhe kam dhënë dy asiste ndërkohë që më është anuluar goli i parë në ndeshjen me Apoloninë. Po bëj më të mirën, pres më shumë nga vetja sepse i di kualitetet e mia, por është mirë që skuadra po ecën mirë dhe shpresoj të vazhdojmë kështu.

Sa e njihni kundërshtarin e nesërm?
Kastrioti duhet vlerësuar shumë. Kam punuar me profesor Ndreun, e njoh grintën dhe mentalitetin e tij, por ne do të japim më të mirën në fushë. Nesër besoj se do të jetë një ndeshje me shumë grintë dhe besoj se do të vendosin detajet, detajet shumë të vogla dhe për mendimin tim besoj se do t’i shfrytëzojmë ato detaje dhe shpresoj të marrim pikët maksimale nga Kamza.

A ka një shqetësim në lidhje me mungesën e pagave?
Nuk jam kompetent për t’iu përgjigjur kësaj pyetje dhe besoj se ka njerëz të tjerë për t’iu përgjigjur. Ne jemi profesionistë dhe kur futemi në fushë, nuk e kemi mendjen askund tjetër përveçse tek ndeshja dhe harrojmë çdo gjë tjetër. Besoj se kjo çështje do të zgjidhet shpejt.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat