Roma me disa plane

Futboll

Roma me disa plane

Më: 23 dhjetor 2020 Në ora: 11:37
Tiago Pinto

Roma ka nisur të planifikojë operacionet e merkatos së janarit, teksa pas takimit me drejtorin sportive Tiago Pinto, presidenti Friedkin ka treguar edhe strategjinë që duhet të ndjekë skuadra tani e në vijim.

Kështu prioritet i është dhënë rinovimit të skuadrës me futbollistë të rinj në moshë dhe uljes së nivelit të pagave, që momentalisht është mjaftueshëm i lartë sa për t’u sjellë problem arkave të klubit, sidomos në këto kohë pandemie.

Pikërisht për këtë arsye, drejtuesit e klubit po synojnë të afrojnë një futbollist anësor “low-cost” dhe i pari në listën e Tiago Pintos është 19-vjeçari amerikan Bryan Reynolds, i cili luan me Dallas dhe shihet si një element me mjaft perspektivë.

Gjithashtu menaxheri i verdhekuqve po punon paralelisht edhe për futbollistë si holandezi 20-vjeçar Frimpong, që është pjesë e skocezëve të Celtic, por edhe talenti francez 18-vjeçar Brandon Soppy, që po spikat te Rennes.

Sa u përket emrave në dalje, lista është e gjatë me emra si Fazio, Juan Jesus e Santon, të cilët nuk bëjnë pjesë në planet e klubit dhe trajnerit Fonseca, ndërsa edhe lojtarë si Bruno Peres, Karsdorp apo ndonjë tjetër mund të largohen pasi kanë oferta nga jashtë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat