Juventus niset drejt Milanos

Futboll

Juventus niset drejt Milanos

Më: 6 janar 2021 Në ora: 13:19
Juventus niset drejt Milanos

Shqetësimi për shtyrjen e mundshme të ndeshjes mes Milanit dhe Juventusit ka kaluar plotësisht, pasi tamponët e fundit kanë rezultuar negativë për të gjithë futbollistët dhe stafin bardhezi, ndaj edhe autobusi i klubit torinez është nisur drejt Milanos për sfidën e mbrëmjes së sotme.

Të hënën mbrojtësi brazilian Alex Sandro rezultoi i prekur nga koronavirusi, ndërsa në tamponët e radhës, pozitiv doli edhe kolumbiani Juan Cuadrado, ndaj në kampin bardhezi ishte rritur shqetësimi se mos të tjerë emra mund të ishin prekur nga Covid-19.

Zyra Shëndetësore Lokale e Torinos kishte ngritur alarmin se mund të bllokonte transferimin e skuadrës së Juventusit drejt Milanos, nëse në xhiron e fundit të tamponëve do të kishte emra të tjerë të prekur nga koronavirusi.

Megjithatë tani alarmi është shuar plotësisht dhe klubi bardhezi pritet të mbërrijë në Milano rreth orës 14:00, ku do të drekojnë dhe më pas do të çlodhen deri në orën 19:00, kur do të marrin rrugën për në stadiumin “San Siro”.

Kështu me skuadrën bardhezi nuk kanë udhëtuar drejt Milanos vetëm dy të prekurit nga koronavirusi, Alex Sandro dhe Juan Cuadrado, si dhe i dëmtuari Alvaro Morata, i cili nuk ishte në dispozicion të Pirlos as për sfidën e të dielës ndaj Udineses.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat