Nga dënimi i Tiranës te afrimet e mundshme

Futboll

Nga dënimi i Tiranës te afrimet e mundshme

Më: 6 janar 2021 Në ora: 18:57
Nga dënimi i Tiranës te afrimet e mundshme

Drejtori i Partizanit, Olsi Rama, ka folur për zhbllokimin e merkatos dhe gjyqin e fituar në KAS. Rama theksoi se hapja e merkatos ishte objektivi kryesor për gjyqin në KAS, ndërsa për përforcimet e janarit u shpreh se do të jenë të piketuara dhe të studiuara me kujdes nga stafi teknik.

Gjithashtu, drejtori i Partizanit foli edhe për bllokimin e merkatos së Tiranës, duke thënë se shpreson që klubi bardheblu ta zgjidhë sa më shpejt pasi kampionati bëhet më i fortë kur skuadrat kanë shumë cilësi.

GJYQI I FITUAR – “Sigurisht, është ajo për të cilën ne punuam. Objektivi kryesor i gjithë luftës sonë në gjyqin që bëmë, ishte të hapej merkatoja. Ia arritëm kësaj gjëje dhe kështu që e quajmë një sukses këtë pjesë. Tani besoj se ndihmon, ndihmon shumë edhe në faktin për ekipin tonë, për të rritur sa më shumë konkurrencën”, tha fillimisht Rama për “RTSH Sport”.

MERKATO – “Kemi investiguar dhe kemi parë profile të ndryshme. Nuk ishim në kushtet e favorshme për të nisur bisedimet, pasi nuk e dinim përgjigjen që do të merrnin.

Por ishim besimplotë dhe mund të themi se i kemi bërë detyrat e shtëpisë. Sigurisht që merkato e janarit ka specifikën e vet, për arsyen se duhet të marrësh lojtarë që iu kanë mbaruar kontrata, që janë të paktë.

Ose mund të marrësh lojtarë që nuk kanë gjetur hapësira në ekipet e tyre, kështu që duhet të jemi shumë përzgjedhës në seleksionim. Ne do të marrim ata që do t’i shkojnë për shtat skemës së Partizanit dhe që do t’i pëlqejnë stafit teknik”.

DËNIMI I TIRANËS – “E dëgjova lajmin e mbylljes së merkatos së Tiranës. Uroj të mos kenë probleme dhe ta zgjidhin, pasi në fund të fundit, kampionati shqiptar bëhet më i bukur kur skuadrat janë më të forta.

Nuk mendoj se na sjell neve një avantazh, tregu i futbollistëve është shumë i madh ka shumë lojtarë. I takon stafit që të bëjë detyrën dhe të zgjedhë më të mirët”.

AFRIMET – “Ne shohim brenda shtëpisë sonë, shohim për lojtarë që na duhen neve. Është Kukësi, Vllaznia, Teuta, që do të kërkojnë përforcime në janar. Ne do të shikojmë objektivat që na bëjnë punë ne, jo objektiva që do t’i prishin punë një ekipi tjetër".

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat